HIMARË– Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vënia nën hetim e një biznesmeni në plazhin e Himarës për shkak se akuzohet për hedhje inertesh pa leje në vijën bregdetare.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet teksa një fadromë punon për tjetërsimin e plazhit , i cili nga plazh trandicionalisht me guralecë po kthente në plazh rëre, duke dëmtuar pa kthim ekomorfologjinë e territorit.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë Himarë në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombetar të Mjedisit dhe Territorit, gjatë monitorimit të vijës bregdetare kanë konstatuar një subjekt privat në zonën e plazhit të Drymadës me shkelje.
Subjekti privat (plazh) në pronësi të shtetasit A.B., 44 vjeç, ka bërë ndërhyrje të paligjshme ndaj hapësirës bregdetare duke hedhur gurë të mëdhenj, mbeturina dhe inerte, pa leje.
Në subjektin në fjalë janë konstatuar edhe 4 çadra diellore personale të vendosura pa leje, nga bashkia.
Në vijim të këtyre veprimeve, Komisariati i Policisë Himarë ka nisur procedimin penal në ngarkim të 44-vjeçarit për veprat penale “Shpërdorimi i pronës” dhe “Përdorimi i tokës”.
Po ashtu, nga ana e IKMT-së, subjekti privat është ndëshkuar me masë administrative – gjobë 2.000.000 lekë për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Për kundravajtjen, IKMT kryeu menjeherë procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi dhe sanksionoi me vendim, subjektin kundravajtës.
Policia e Shtetit u bën thirrje gjithë subjekteve që të tregojnë kujdes maksimal në sjelljen me pronën publike dhe mjedisin e përbashkët.
Pasojat e shkeljeve ligjore dhe krimeve mjedisore do te jenë te forta për cilindo që i kryen ato.
Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.
Top Channel