Dy ushtarë italianë, të cilët ndodheshin në Liban për një mision, kishin planifikuar që të martoheshin së shpejti në Itali, por koronavirusi i prishi të gjithë planet. Për shkak se të gjithë shtetet, mbyllën kufijtë e tyre, dyshja e ushtarëve e kishin të pamundur që të riktheheshin në vendlindje, kështu që vendosën që dasmën e tyre ta bënin në Liban.
Në fotot e publikuara, nusja dhe dhëndri shihen të veshur me uniformën e ushtrisë. Për t’iu përmbajtur rregullave, pjesëmarrësit ishin të gjithë të pajisur me maska, doreza dhe mbanin një distancë të sigurtë nga njëri-tjetri. Po ashtu disa miq të çiftit, konfirmuan “pjesëmarrjen” e tyre me anë të “Skype”.
Martesa e Vincenzo De Rita dhe Fiorella Tomasino, është e para që ka ndodhur në një fushëbetejë. Ceremonia martesore u zhvillua në ambasadën italiane në Liban.
“Ishte një ëndërr, një martesë e paharrueshme. U martuam në kushte të çuditshme, jo vetëm me maska dhe doreza, por edhe me uniformë ushtarake”, u shpreh Vincenzo.
Ndërsa Fiorella tha: “Në vend të fustanit të bardhë, unë kisha një shall blu të Kombeve të Bashkuara dhe në vend të vellos një baret blu”.
Top Channel