Dyshohet për përfshirje në organizatë kriminale dhe ryshfet, arrestohet drejtuesi i Bursës së Stambollit

31/10/2026 23:00

Një zhvillim i ri ka tronditur sektorin financiar në Turqi. Korkmaz Enes Ergun, drejtori i përgjithshëm i Bursës së Stambollit (Borsa Istanbul), është arrestuar në kuadër të një hetimi të gjerë për transaksionet e kryera në tregjet e kapitalit dhe skandalin e fondeve të investimit.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve Anadolu, Ergun është ndaluar me dyshimin për anëtarësim në një organizatë të krijuar për kryerjen e veprave penale dhe për ryshfet. Lajmi është konfirmuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit, e cila bëri të ditur se hetimet për çështjen e fondeve vijojnë.

Arrestimi i drejtuesit të Bursës së Stambollit vjen në kuadër të një hetimi më të gjerë financiar, që lidhet me dyshimet për manipulimin e tregut të aksioneve dhe parregullsi në fondet e investimit. Kriza u bë publike pasi disa fonde hasën vështirësi për të përmbushur kërkesat e investitorëve për tërheqjen e parave. Më 17 shtator, Bordi i Tregjeve të Kapitalit në Turqi vendosi likuidimin e 131 fondeve të investimit, të administruara nga shtatë kompani të ndryshme.

Hetimet kanë përfshirë drejtues të kompanive financiare, administratorë fondesh dhe persona të tjerë të sektorit të biznesit. Ergun ka një përvojë prej rreth 28 vitesh në tregjet financiare dhe bursën turke. Ai e nisi karrierën në Bursën e Stambollit dhe ka drejtuar procese që lidhen me listimin e kompanive në bursë, mbikëqyrjen e tregut dhe aktivitetet financiare.

Ai mban gjithashtu pozicionin e nënkryetarit të bordit drejtues të Takasbank dhe është anëtar i bordit të Federatës Botërore të Bursave. Arrestimi i tij shënon një tjetër zhvillim në hetimin e madh financiar që ka përfshirë sektorin e investimeve në Turqi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi provat konkrete ndaj tij, ndërsa hetimet vijojnë.

Top Channel