TIRANË- Më 18 maj do të merren hapat e parë konkret për hapjen e objekteve të kultit që pas mbylljes në fillim të marsit në kuadër të masave të frenimit të përhapjes së Covid-19.
Data është bërë e ditur nga kryeministri Edi Rama i cili ditën e sotme pati një bashkëbisedim online me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar.
Ata i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama që të hapin objektet e kultit pasi sipas tyre tashmë me nisjen e hapjes graduale të Shqipërisë pas masave kundër Covid-19 ka ardhur koha që të hapen edhe xhamitë, kishat, teqetë dhe objektet e tjera fetare për besimtarët.
Kryepeshkopi Anastas është shprehur se kërkesa vjen me sugjerime ku të shmangen takimet mes besimtarëve.
Ndërsa përfaqësuesi i komunitetit mysliman në vendin Bujar Spahiu është shprehur se e kanë shtruar këtë kërkesë që të diskutohet mundësia për kryerjen sadopak të lutjeve për besimtarët.
Nga ana tjetër Rama është shprehur se bisedimet mes përfaqësuesve fetar dhe komitetit teknik për Covid-19 të nisin që sot për të marrë sugjerimet e mënyrës së hapjes graduale.
Rama u ka kërkuar përfaqësuesve fetar që të shohin edhe vendet e tjera se si po veprojnë dhe më pas të japin sugjerimet.
“Kërkesa jonë është të kemi vendet e adhurimit. Të na jepni drejtimet për këtë gjë. Duke mbajtur distancën siç është thënë dhe duke shmangur takimet dhe puthjet apo diçka tjetër. Vendet e adhurimit japin shpresë dhe duhet tu japim njerëzve këtë mundësi. Përsëris duke respektuar rregullat që janë dhënë deri tani. Është e qartë se këto ditë komunitete fetare kanë dhënë shenjë përgjegjshmërie dhe ne jemi gati të vazhdojmë këtë. Në solidaritet me vendin” tha Kryepiskopi Anastas.
Bujar Spahiu: KMSH: Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Siç dihet në kuadër të hapjes graduale që po merr vendi në këtë kontekst kërkuam këta takim për të qenë në rregull për hapjen graduale të objekteve të kultit gjithmonë duke respektuar rregulloren. Që të diskutojmë këtë çështje dhe mundësinë që ne të kryejmë sadopak praktikën e lutjes në objektin e kultit.
Rama: Ju falenderoj se ajo që keni bërë është fantastike. Për sa i përket shqetësimit tuaj unë bashkohem me ju se në kuadrin e masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përditshme hap pas hapi është e nevojshme që të adresojmë edhe situatën. Të lehtësojmë pengesat e mëdha të ushtrimit të veprimtarisë, por nga ana tjetër duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta bëjmë këtë gjë në mënyrë graduale dhe jo të menjëhershme. Kjo kërkon një konsultim me ju se praktikat janë të ndryshme. Brenda një kalendari javor apo mujor keni praktika që nuk janë njësoj. Kam kërkuar që grupi i punës që është i përbërë nga ekspertë të fushës dhe komiteti i ekspertëve të mundësojë.”
“Në rastin e komuniteteve fetare të bëhet me marrëveshje nga sonte ose nga nesër të jeni të disponueshëm që të keni kontakte me personat që hartojnë masat lehtësuese. Pra si mund të bëhet gradualisht deri në normalizim. Besoj me 18 maj kur do të jetë konfiguruar edhe projekti i fazës së dytë të mund të japim edhe disa indicie konkrete për komunitetet fetare. Fillojmë që sot ose nesër me ju ose dikë nga ju.” tha Rama.
Top Channel