Në këtë periudhë kremtimesh fetare për besimtarët katolikë e hebrenj në Shtetet e Bashkuara, grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë për koordinimin e përgjigjes kundër koronavirusit, u bëri thirrje komuniteteve fetare të respektojnë udhëzimet për distancim social. Shtete të ndryshme kanë udhëzime të ndryshme për komunitetet fetare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton:

Në këto kohë kemi parë rrëfime nga makina, kremtime fetare përmes lidhjes me celular dhe meshë me internet. Shumë komunitete fetare në Shtetet e Bashkuara janë përshtatur në realitetin e COVID-19. Grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë u ka bërë thirrje amerikanëve të vazhdojnë distancimin social gjatë kësaj periudhe kremtimesh fetare.

Nënpresidenti Mike Pence, foli për planet e tij për të dielën:

“Do të ndjekim shërbesat fetare nga dhoma e ndenjes në Rezidencën e Nënpresidentit, ku i kemi ndjekur prej disa javësh”. Por të nxitur nga reagimet e popullatës dhe liria fetare, 12 shtete lejojnë përjashtime për grupet fetare nga udhëzimet për distancim social. Edhe në shtetet ku objektet fetare duhet të qëndrojnë të mbyllura, ka pasur shkelje të udhëzimeve. Në Luiziana një kishë zhvilloi shërbesa fetare të dielën e kaluar:

“Shpirti im është i uritur. Nuk kam frikë nga virusi. Kur ta kem të shkruar do të shkoj. Kështu e ka jeta,” thotë një besimtar. Një anketë e ditëve të fundit nga Instituti “American Enterprise” tregon se pjesa më e madhe e amerikanëve besojnë se objektet fetare nuk duhet të përjashtohen nga udhëzimet për distancim social dhe se kishat, xhamitë dhe sinagogat duhet të qëndrojnë të mbyllura gjatë epidemisë.

Daniel Cox është studiues për Institutin “American Enterprise”. “Vërejmë një dallim mes republikanëve dhe demokratëve, liberalëve dhe konservatorëve. Konservatorët, republikanët në përqindje më të lartë thonë se kishat dhe objektet e tjera fetare duhet të përjashtohen nga udhëzimet dhe të qëndrojnë të hapura. Shumica e demokratëve dhe liberalëve mendojnë të kundërtën”, thotë ai.

Presidenti Donald Trump ka qëndruar jashtë këtij debati lidhur me grumbullimet fetare, por mbetet optimist:

“Megjithëse nuk po mblidhemi dot siç jemi mbledhur normalisht për Pashkë, mund ta shfrytëzojmë këtë moment për t’u përqëndruar te lutja, tek reflektimi dhe forcimi i lidhjeve me Zotin”, tha ai.

Presidenti pat marrë në konsideratë zhvillimin e shërbesave fetare nën qiell të hapur për Pashkë, por ekspertët e shëndetit publik thanë se edhe kjo praktikë do të ishte shumë e rrezikshme./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA