Gjermania huazon strategjinë e Koresë së Jugut, synohen deri në 200 mijë teste në ditë

31/03/2020 01:53

Në betejën kundër koronavirusit, Gjermania duket se po huazon strategjinë koreano-jugore për thyerjen e zinxhirit të infektimeve: ashpërsim të masave të karantinës, por edhe rritje të numrit të testimeve. Gjermania është duke kryer aktualisht testime për koronavirusin më shumë se çdo vend tjetër europian, me një shkallë prej 300,000 deri në 500,000 të tilla brenda javës, thonë zyrtarë vendas.

Por duke cituar një dokument të Ministrisë së Brendshme, mediat vendase shkruajnë se qeveria e kancelares Angela Merkel synon që të arrijë shifrën e të paktën 200,000 testeve në ditë. Qëllimi është të verifikohen përmes testimit ata që dyshohen si të prekur nga sëmundja si dhe i gjithë rrethi i personave që kanë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara.

Sipas dokumentit, ideja e strategjisë së re është kalimi nga testimet “që konfirmojnë situatën” tek testimet “që shkojnë përtej”. Një armë e fuqishme në këtë betejë do të ishte përdorimi i lokacionit përmes telefonave inteligjentë, në mënyrë që të vëzhgohen lëvizjet e të dyshuarve apo atyre që kanë pasur kontakt me të infektuarit.

Por edhe pse zyrtarë qeveritarë dhe epidemiologë e kanë përkrahur idenë e vëzhgimit përmes telefonit, kjo ide vazhdon të ngjallë debate të mëdha në Gjermani, për shkak të çështjes së privatësisë. Me një total prej 389 vdekjeve nga 52,000 raste të konfirmuara, Gjermania ka shkallë të mortalitetit vetëm 0.7 për qind – në krahasim me Italinë, 10 për qind dhe Spanjën tetë për qind.

Por ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka paralajmëruar se ky shtet mund të përballet me një “stuhi” të rasteve të reja në javët në vijim.

Top Channel