Kritikët në BE e organizatat e shoqërisë civile shohin në ligjin e ri për situatën e jashtëzakonshme në Hungari një rrezik akut për demokracinë. Europarlamentarët i tremben edhe mundësisë së imititmit.

Një ditë më parë, Partia “Fidesz” e kryeministrit Viktor Orban kaloi një ligj në parlament që i jep shefit të ekzekutivit fuqi të shtuara për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Ligji i ri përcakton veç të tjerash një dënim me deri në pesë vite burgim për ata që dëmtojnë masat për parandalimin e virusit dhe për ata që përhapin informacion të rremë për krizën. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se ky ligj mund të përdoret për të heshtur gazetarët. Ata druhen se me këtë ligj, çdo lloj raportimi i padëshiruar mund të sanksionohet apo pengohet.

Edhe OSBE protestoi kundër këtij ligji, duke thënë se nuk i përmbush standardet ndërkombëtare. Komisioni përkatës i Parlamentit Europian ka paralajmëruar, se masat që merren në luftën kundër virusit nuk duhet të shkelin të drejtat bazë, shtetin ligjor dhe parimet demokratike. KE duhet të verifikojë, nëse Hungaria i plotëson kushtet në bazë të marrëveshjeve europiane.

Në baza të nenit 7 të marrëveshjeve, Bashkimi Europian mund të të fillojë procedurën kundër një shteti që shkel parimet e shtetit ligjor. Por për shkak se vendimi pas një lëvizjeje të tillë duhet miratuar nga të gjitha vendet anëtare, procedura është bërë e paefektshme. Një procedurë e tillë kundër Hungarisë ka filluar që në vitin 2018, edhe Polonia kërcënohet nga kjo procedurë, kështu këto dy vende mund ta mbështesin njëra-tjetrën në Këshillin e BE-së.

Top Channel