Kina në ‘alarm’, nga 55 rastet e fundit 54 kanë ardhur nga jashtë. Ndalon hyrjet në vend

27/03/2020 20:47

Kina ka njoftuar një ndalim të përkohshëm për të gjithë vizitorët e huaj, edhe nëse ata janë të pajisur me viza ose leje qëndrimi, shkruan BBC.

Vendi po kufizon gjithashtu edhe linjat ajrore kineze ose të huaja në vetëm një fluturim në javë dhe këto fluturime nuk duhet të jenë më shumë se 75 % të plota.

Pothuajse të gjitha rastet e saj të reja vijnë nga vendet e huaja.  Pra, nga 55 raste të reja në Kinë, 54 prej tyre vinin nga jashtë. Me anë të një konference për shtyp, Ministria e Jashtme kineze tha se po pezullonte hyrjen e shtetasve të huaj, për shkak të përhapjes së shpejtë të COVID-19, në të gjithë botën.

Pezullimi vlen edhe për njerëzit me viza dhe leje qëndrimi, por jo për diplomatët ose për personat e pajisur me viza C (zakonisht përdoret nga ekuipazhet e avionëve).

Megjithatë njerëzit që kanë nevoja urgjente humanitare ose ata që punojnë në fusha të caktuara dhe janë të detyruar të udhëtojnë, mund të aplikojnë për përjashtime.

Por cila është situata e koronavirusit në Kinë?

Edhe pse virusi u shfaq në Kinë, ai tani ka më pak raste se SHBA dhe më pak vdekje se sa Italia dhe Spanja. Kina që nga fillimi i epidemisë dhe deri më tani, ka pasur 81.340 raste të konfirmuara si dhe 3.292 vdekje, shifra këto të konfirmuara dhe nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë.

Në total, 565 nga rastet e konfirmuara u klasifikuan si “të importuara”, e thënë ndryshe të huajt që vijnë në Kinë, ose shtetasit kinezë që vijnë nga një udhëtim jashtë.

Në Hubei, provinca ku filloi epidemia, nuk pati raste të reja të konfirmuara ose të dyshuara, sipas raporteve të fundit. Megjithatë bllokimi në kryeqytetin krahinor, Wuhan, i cili filloi që në janar, do të hapet përsëri më 8 prill, shkruan BBC.

Top Channel