Qeveritë në mbarë botën “hapin thesin” për koronavirusin!

26/03/2020 03:01

Qeveritë në mbarë botën po angazhohen për të ofruar mbështetje financiare në këto momente të vështira, kur pandemia e koronavirusit vazhdon përhapjen. Komisioni Europian ka ndarë 38 milionë euro për sektorët e shëndetësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, e konfirmuar kjo nga komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Përmes një postimi në Twitter, ai sqaroi se i ka informuar kryeministrat e të gjashtë vendeve të rajonit për këtë vendim.”Do ndajmë 38 milionë euro për mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorët e shëndetësisë dhe parashikojmë rishpërndarjen e mbi 373 milionë eurove për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike”, ka thënë Varhely në Twitter.

Bundestagu vendosi për një paketë ndihme paketë ndihme të cilësuar si “historike për qytetarët dhe ekonominë gjermane” në mesin e kësaj krize. Paketa u aprovua me një shpejtësi të pamenduar më parë. Federata do të mbështesë tani me disa mburoja të gjera financiare dhe ndryshime ligjore familjet, qiramarrësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe firmat gjermane.

Për këtë parlamentarët gjermanë duan të shfuqizojnë edhe frenimin e kryerjes së borxheve që është parashikuar në kushtetutë. Ky ndryshim krijon bazën ligjore që buxheti shtesë të lejojë marrjen e borxheve në vlerë 156 miliardë euro. Kushtetuta gjermane e lejon që në raste katastrofash dhe situata të jashtëzakonshme federata të bëjë më shumë borxhe se sa është e lejuar.

Udhëheqësit në Shtetet e Bashkuara gjithashtu njoftuan arritjen e një marrëveshjeje mbi një paketë ekonomike të shpëtimit prej 2 trilion dollarësh, për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset të përballen me gjendjen e krijuar për shpërthimit të koronavirusit. Teksti i projekt-ligjit pritet të hidhet për votim në Senat dhe më pas do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha se projektligji është “larg të qenit u përsosur”, por me përmirësimet që i janë bërë gjatë disa ditë negociatash, do të duhej të miratohej shpejt.

Top Channel