Ndihma minimale amerikane kundër COVID-19 në botë

25/03/2020 04:49

Ndërkohë që vazhdon shtimi i shumëfishtë i rasteve të COVID-19 në të gjithë botën, Presidenti Donald Trump tha se është i hapur të ofrojë ndihmë për Korenë e Veriut, Iranin dhe vende të tjera që kanë nevojë. Por, përveç shumës prej 1 miliard dollarësh të premtuar në fillim të marsit, deri tani nuk ka pasur fonde shtesë për të luftuar koronavirusin jashtë Shteteve të Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton:

Qindra mijëra raste me COVID-19 janë zbuluar tashmë në të paktën 167 vende. Të dielën, Presidenti Trump tha se është i hapur për të ofruar ndihmë ndërkombëtare, por nuk dha hollësi: “Kirurgu i Përgjithshëm amerikan është në kontakt të vazhdueshëm me vende të tjera. I bëjnë pyetje si të veprojnë. Askush nuk ka ndeshur ndonjëherë në një situatë të tillë. Na kontaktojnë vazhdimisht. Po, e kam thënë se do të ndihmojmë vende të tjera si Koreja e Veriut, Irani, përfshirë edhe të tjerë, pasi është e rëndësishme”.

Paketa që miratoi Kongresi me afro 8 miliardë dollarë fonde kundër COVID-19 në fillim të marsit kishte më shumë se 1 miliardë dollarë për kundërpërgjigje ndëkombëtare, përfshirë ndihmë përmes USAID-it, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. “Paketa përfshin 300 milionë dollarë për operacionet e USAID-it për punën e tyre në vende të rrezikuara, sidomos në vende të varfra si në Afrikë, për të forcuar kapacitetet për ta identifikuar, ndjekur dhe izoluar infeksionin,” thotë Stephen Morrison i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

Por paketa e re prej 1 trilion dollarësh kundër koronavirusit nuk përfshin ndihma ndërkombëtare. “Jo, në këtë paketë stimilimi ekonomik nuk ka, por ne japim miliarda dollarë të tjerë, për shembull në Afrikë kundër Sidës. Ne po e vazhdojmë atë betejë,” tha presidenti. Në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikave se lejuan përhapjen e virusit në fazat e para të shfaqjes së tij, kompanitë kineze po u shesin ose dhurojnë disa vendeve evropiane dhe të 54 vendeve afrikane komplete për diagnostikim, pajisje shëndetësore dhe ilaçe.

“Kina sheh një mundësi të madhe që përmes ndihmës kundër koronavirusit të ndërtojë ura lidhëse. Pjesërisht kjo vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë treguar shumë pasive. Ky qëndrim nuk tregon vetëm reagimin oportunist të Kinës në këto momente, që është shqetësues, por edhe pasivitetin e Amerikës dhe mungesën e rolit udhëheqës, që është edhe më shqetësues,” thotë analisti Robert Daly. Të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ritmet e përhapjes se epidemisë po intensifikohen. Organizata po u bën thirrje udhëheqësve të Grupit të 20-shes të shpejtojnë prodhimin e pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e sektorit të shëndetësisë./VOA

Top Channel