Irani refuzon ndihmën e një organizate bamirëse me bazë në Gjenevë

25/03/2020 05:33

Irani, një nga shtetet e goditura më së keqi nga koronavirusi në botë, ka kundërshtuar ofertën e një organizate bamirëse, me bazë në Gjenevë, për të krijuar një spital të improvizuar me 50 shtretër, në qendër të qytetit Isfahan. Numri total i personave të infektuar në këtë shtet është rritur për 1,762 në 24 orët e fundit, duke e dërguar numrin total në 24,811.

Ministria po ashtu ka njoftuar se numri i të vdekurve ka arritur në 1,934. “Ne jemi befasuar kur kemi kuptuar se është pezulluar angazhimi ynë për trajtim atje”, ka thënë, Michel-Olivier Lacharite, që gjendet në krye të ekipit në krizë në Organizatën, Medecins Sans Frontieres. Lacharite ka thënë se organizata ka qenë e gatshme që të krijojë spitalin në fund të javës, pasi ka marrë lejen fillestare nga autoritetet.

Alireza Vahabzadeh, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, ka thënë se “nuk ka nevojë tani për vendosje të shtretërve nga forcat e huaja, dhe prezenca e tyre përjashtohet”. Zyrtarët iranianë kanë refuzuar edhe ofertën e Shteteve të Bashkuara për ofrim të ndihmës, duke thënë se Uashingtoni duhet të largojë sanksionet nëse dëshiron t’i ndihmojë Teheranit në luftim të pandemisë. Irani përballet tash e një kohë me sanksionet amerikane për shkak të programit bërthamor dhe atij të armëve./REL

Top Channel