SHBA: Senatorët demokratë bllokojnë përsëri paketën financiare për koronavirusin

24/03/2020 04:29

Senatorët demokratë bllokuan përsëri të hënën miratimin e një pakete stimujsh prej 1.8 trilionë dollarësh , ndërsa vazhduan bisedimet me administratën e Presidentit Trump për të tejkaluar mosmarrëveshjet. Në senat shpërthyen debatet ndërsa senatorët dhe zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump, po përpiqeshin të arrinin një marrëveshje për paketën e shpëtimit në përgigje të pandemisë së koronavirusit, me demokratët që bllokuan veprimin për këtë paketë derisa të sigurojnë më shumë mbrojtje për punëtorët dhe kufizime për shpëtimin e korporatave.

Ky lajm solli një rënie të bursës së Nju Jorkut me një humbje prej 600 pikësh të Dow Jones-it. Paketa nuk arriti të kalojë të dielën, sepse demokratët e pakicës kundërshtuan disa pjesë të projektligjit, por udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell tha se ligjvënësit do të manin një votim tjetër të hënën paradite. Paketa e ndihmës synon nxitjen e ekonomisë amerikane duke siguruar pagesa të drejtpëdrejta për më shumë se 90% të amerikanëve dhe një grup të gjerë biznesesh, që do t’i ndihmonte ato të përballonin efektet e tanishme dhe në rritje të pandemisë.

Demokratët thonë se projektligji u jep përfitime të tepërta korporatave. Në vend të kësaj ata kërkojnë që t’u shkojnë më shumë para qendrave shëndetësore nëpër komunitete, shtëpive për të moshuarit; të dërgohen më shumë maska, ventilatorë, pajisje mbrojtëse për personelin mjeksor dhe të ndihmohen më shumë shtetet dhe qeveritë lokale për të luftuar koronavirusin. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se demokratët po hartonin versionin e tyre të një pakete të shpëtimit ekonomik që, sipas saj, “merr parasysh sfidën e madhe që përbën koronavirusi” dhe që “ka ndryshim të madh” me projekt-ligjiin e mbështetur nga republikanët e Senatit. Të dyja dhomat do të duhet që në fund të rakordojnë propozimet e tyre.

Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell u përplas me demokratët. “Nëse nuk jemi në gjendje të veprojmë nesër, kjo do të jetë për shkak se kolegët tanë nga pala tjetër vazhdojnë të merren me grindje të vogla kur vendi pret që ne të mblidhemi dhe t’i japim rrugë problemit,” tha ai. Homologu i tij demokrat, Chuck Schumer, tha se problemet mund të tejkalohen dhe se bisedimet po vazhdojnë, edhe me sekretarin e thesarit Steven Mnuchin.

“Grupi ynë është i bashkuar në përpjekjen për të nxjerrë një projektligj që i jep përgjigje shpejt kësaj krize shëndetësore dhe ekonomike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë dypartiake për ta realizuar atë,” tha senatori Schumer. Ndër pengesat ishte një fond prej 425 miliardë dollarësh për kredi dhe garanci kredie që duan të krijojnë republikanët. Disa demokratë të opozitës e kanë quajtur këtë një “fond korruptiv” sepse, sipas tyre, Departamenti i Thesarit do të kishte shumë peshën në vendimin se cilave biznese do t’i shkonin paratë.

Kongresi shpresonte që legjislacioni t’i dërgohej Presidentit Trump para mesditës së ditës së hënë, por nuk është e qartë nëse ngërçi do të zgjidhet në kohë. Ndërsa ligjvënësit debatonin, senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, me profesion okulist, njoftoi se kishte koronavirus, senatori i parë dhe anëtari i tretë i Kongresit që teston pozitivisht. Dy senatorë të tjerë që kishin kontakte me të – Mitt Romney dhe Mike Lee, të dy të shtetit Juta – njoftuan se janë në vetizolim.

Përveç ndikimit të dukshëm të koronavirusit në shëndetin publik, janë rreth 2 milion e ndoshta më shumë amerikanë që kanë humbur përkohësisht punën, pasi mijëra shkolla, biznese të mëdha apo qendra të tilla të komunitetit si palestra, restorante, bare dhe dyqane kanë mbyllur dyert, qoftë vullnetarisht ose me urdhër të qeverive shtetërore dhe vendore.

Ndërkohë, Banka Qendrore amerikane vazhdon përpjekjet për të injektuar likuiditet në tregjet amerikane të aksioneve dhe për të qetësuar investitorët. Në një deklaratë të hënën në mëngjes, Rezerva Federale premtoi “një përpjekje agresive” për të kufizuar humbjet e vendeve të punës dhe të të ardhurave”. Ajo shpalli një seri programesh për të ndihmuar bizneset, të mëdha e të vogla dhe për të zbutur goditjen ndaj ekonomisë./VOA

Top Channel