Strategjia e Izraelit/ Të izolohen gjyshërit për t’i shpëtuar

22/03/2020 12:59

Rreth 945 izraelitë kanë testuar pozitivë për koronavirusin e ri, deri mëngjesin e të dielës, ndërsa shifrat vazhdojnë të rriten.

Ministria e shëndetësisë tha se 20 prej këtyre rasteve janë kritike. Një person, humbi jetën gjatë fundjavës dhe bëhet fjalë për një 88 vjecar që i kish mbijetuar holokaustit por nuk i bëri dot ballë koronavirusit.

Ai është edhe viktima e parë në vend. Sipas ministrisë së shëndetësisë, numri i të prekurve nga koronavirusi në Izrael do të rritet edhe me qindra çdo ditë, ndërkohë që po rritet edhe numri i testeve të përditshme dhe sipas zyrtarëve, numri i testeve do të shkojë deri në 10 mijë në ditë, në vijim. Por, qasja e izraelit ndaj koronavirusit, është disi më ndryshe nga ajo e ndjekur në vende të tjera të botës.

Ministri izraelit i mbrojtjes, në një apel drejtuar vendit, nënvizoi domosdoshmërinë e distancimit nga të moshuarit, si mënyra më e mirë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.

“Gjëja më e rëndësishme, më shumë se sa distancimi social, më shumë se testim, testim, testim, më shumë se gjithçka tjetër, është të ndajmë të moshuarit nga të rinjtë. Kombinimi i vetëm, më vdekjeprurës është kur një gjyshe përqafon nipin”, thotë Naftali Bennet.

Sipas tij, koronavirusi, është unik pasi është më vdekjeprurës për të moshuarit se sa për të rinjtë. Ajo që duhet bërë, thotë ai, është të kujdesemi për gjyshet dhe gjyshërit por kjo të bëhet nga larg.

Mesazhi i plotë

Emri im është Naftali Bennet dhe unë jam ministër i mbrojtjes i shtetit të Izraelit. Unë dua të ndaj me ju këndvështrimin e vetëm më të rëndësishëm të të gjithë epidemisë së koronavirusit.

Gjëja më e rëndësishme, më shumë se sa distancimi social, më shumë se testim, testim, testim, më shumë se gjithçka tjetër, është të ndajmë të moshuarit nga të rinjtë. Kombinimi i vetëm, më vdekjeprurës është kur një gjyshe përqafon nipin.

Përse kjo?

Sepse Korona është një virus unik në kuptimin që është më vdekjeprurës për të moshuarit se sa për të rinjtë. Në shumë vende asnjë i ri nuk ka vdekur. Vendet ku ka shumë viktima 0 për qind ose 0.1 përqind viktima nën moshën 30 ose 20 vjeç.  Ndërsa tek të moshuarit, mbi 70 apo 80 vjeç, një në pesë apo në shtatë prej atyre që e marrin virusin, vdes. Pra, ajo që ne duhet të bëjmë, në ditët e ardhshme, është të kujdesemi për gjyshet dhe gjyshërit, por ta bëjmë këtë nga larg. Shumë ËhatsApp dhe Skype, apo çfarë të doni ju. Çojuni atyre ushqim, pastroni kutitë para se të largoheni, dhe më pas ata ta marrin brenda në shtëpi. Por mos hyni në shtëpitë e tyre, mos i përqafoni ata, sepse kështu i rrezikoni ata. Në përfundim, njerëzit më pyesin: a duhet të moshuarit të izolohen përgjithnjë? Përgjigjia është jo. Ajo që do të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm, gradualisht, pjesa tjetër e popullatës, doni apo jo, do të preket nga koronavirusi. Pjesa më e madhe e njerëzve që do ta marrë atë as nuk do ta kuptojnë. Do të dyhen tre apo katër javë para se ata ta dijnë se e kanë virusin dhe në fund të atyre katër javëve ata do të jenë imunë. Do të fillojë me 0.1 %, 1%, 5%, 20% dhe kur të arrijë në 60%, 70 % e popullatës do të jetë imune. Epidemia do të ketë mbaruar dhe atëherë, gjyshja dhe gjyshi mund të dalin. Mund të duhet një muaj, mund të duhen dy apo tre muaj, ndoshta edhe pak më shumë, por ky është plani.

Paçi fat!

Kujdesuni për gjyshërit dhe gjyshet.

Mos iu afroni atyre!

 

Top Channel