Trau i padukshëm i vetëizolimit ka penguar njerëzit të kryejnë ritet, dhe traditat ashtu siç janë të vendosura prej mijëra vitesh. Ceremonitë mortore këto ditë bëhen vetëm me njerëzit më të afërm të familjes. Edhe ata duke përdorur masa mbrojtëse.
Agjencitë funerale për herë të parë përballen me masa të tilla kufizuese, për të varrosur një person.“Janë bërë të mundur që të mos ketë grumbullime, sa më pak dhe sa më të vogla të jenë, të cilat po bëhen vetëm me familjarët, me 4 ose 5 veta”, – tregon Fatmir Tabaku, Agjenci Funerale.
Të gjitha procedurat kanë ndryshuar këto ditë. Sipas zakoneve shqiptare, kur dikush ndërron jetë ai mbahet të paktën për gjysmë dite në shtëpi për tu vajtuar nga familja. Por, në këtë situatë të rrezikut nga coroanvirus kjo traditë nuk zbatohet.
“Jo më larg se tani që po flasim kolegu im është në një ceremoni mortore. Familjarët nuk kanë ardhur fare tek ne. Na kanë marrë vetëm në telefon. I ndjeri ka ndërruar jetë në spitalin 5 nga vdekje natyrale. Është marrë me makinë dhe direkt për në varreza. I shoqëruar vetëm me një makinë tjetër familjare”, – tregon Fatmir Tabaku, Agjenci Funerale.
Kjo tregon një sakrificë të madhe nga ana e qytetarëve, pasi të thyesh këto zakone nuk është e lehtë.
Top Channel