Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet sa i takon situatës në vend, shkaktuar nga përhapja e Covid-19, duke thënë se “kjo krizë përballohet me veprime konkrete dhe hapa të vendosur dhe jo me gjysmë të vërteta apo akoma më keq, me propagandë”.
Basha ngre problematikën e mungesës së tamponeve për të testuar koronavirusi apo të ambienteve të trajtimit të pacientëve pozitivë.
“Transparenca është e rëndësishme dhe thelbësore për t’u përballur me këtë gjendje të pazakontë. Është e qartë për të gjithë tashmë se kjo krizë përballohet me veprime konkrete dhe hapa të vendosur dhe jo me gjysëm të vërteta apo akoma më keq, me propagandë.
Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi mungesën e tamponeve të testit për COVID 19. Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë.
Veç kësaj duhen krijuar ambjente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID 19 edhe në qytete të tjera të vendit ku numri i të prekurve sa vjen e rritet. Të prekurit nga virusi nuk kanë pse të përplasen të gjithë në Tiranë kur mund tu krijohet mundësia të trajtohen në ambjente të ngritura në qendrat e qarqeve. Neglizhenca në marrjen e masave të menjëhershme për shtimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteve të ambjenteve spitalore dedikuar trajtimit të personave me COVID 19 mund të ketë pasoja shumë të rënda.
Në këtë situatë, qeveria duhe të marrë masa urgjente të ndihmojë me ushqime dhe detergjentë familjet e varfra dhe ato në nevojë ekonomike. Çdo ditë që kalon e bën të vështirë dhe të pamundur që një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të përballojnë mbijetesën. Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë.
Të dashur bashkëqytetarë, kjo është një kohë sakrificash që gjithsecili prej nesh duhet ti bëjë për shëndetin e tij dhe të familjes. Prandaj është e rëndësishme të ndiqni me përpikmëri këshillat e mjekëve. Mos neglizhoni asnjë shqetësim që mund të keni dhe tregojini ato me vërtetësi përfshirë dhe historikun tuaj të udhëtimeve apo kontakteve që keni patur. Në këtë mënyrë e bëni më të lehtë trajtimin tuaj si dhe mbroni stafet mjekësore dhe qytetarët e tjerë”, shkruan Basha.
Top Channel