TIRANË- 6 farmaci dhe 7 njësi tregtare fruta-perime janë evituar me shkelje të ligjit pasi kanë rritur çmime e produkteve që tregtojnë në një kohë kur Shqipëria po kalon një periudhë tepër të rëndë me koronavirusin.
Ministria e e Financave njofton se nga dita e nesërme, në qytetet kryesore të vendit do të jenë në terren Task Forca, me prezencën e Tatimeve, Policisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe AKU-së për të kontrolluar situatën dhe çmimet me qëllim shmangien e abuzimeve.
Njoftimi:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të masave të marra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe në kushtet e ndalimqarkullimit, përmes strukturave të saj po monitoron sjelljen e tregjeve për të shmangur çdo abuzim të mundshëm nga tregtarët.
Për këtë qëllim që nga dje është në dispozicion numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime të rasteve që konstatojnë.
Në zbatim të këtyre masave të marra nga të gjithë strukturat tona, Administrata Tatimore po ndjek nga afër zhvillimet e fundit, sidomos funksionimin e tregtisë.
Është koha që të gjithë të bashkëpunojmë dhe solidarizohemi për të përballuar këtë situatë të vështirë, jo për të abuzuar.
Falenderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e deritanishëm, ku vetëm sot janë regjistruar 75 denoncime. Në vijim të tyre DPT ka verifikuar 13 raste me shkelje të legjislacionit tatimor, nga të cilat 6 farmaci dhe 7 njësi tregtare fruta-perime. Gjatë verifikimeve janë evidentuar çmimet e shitjeve dhe të blerjeve, duke i kaluar për ndjekje të mëtejshme të organeve kopetente në rast rritjesh artificiale të tyre.
Ndërkohë që nga nesër në qytetet kryesore të vendit do të jenë në terren Task Forca, me prezencën e Tatimeve, Policisë, Agjensia Kombëtare e Barnave dhe AKU-së.
Inkurajojmë të gjithë qytetarët të vijojnë denoncimin e rasteve abuzive dhe këshillojmë, që asnjëri të mos largohet nga njësitë tregtare pa marrë kuponin tatimor dhe të sigurohet që përshkrimi në kuponin tatimor është i njëjtë me mallin e marrë.
Të gjithë bashkë, për t’i thënë jo abuzimit.
Top Channel