Në spitalin e Napolit, Cardarelli, janë në luftë me kohën, pasi një njësi e re e kujdesit intensiv po mblidhet ndërkohë që sistemi shëndetësor i pafinancuar dhe i pamjaftueshëm në jug të vendit, po përgatitet për një pandemi.
Dhomat në godinën M janë boshatisur dhe po presin pajisjet e reja, ilaçet dhe furnizimet që do të kompletojnë atë që po quhet krahun e coronavirusit.
“Jugu është më pak i përgatitur dhe mund të paguajë një çmim të rëndë për të. Shteti na ka kërkuar të bëhemi gati. Ne po punësojmë qindra doktorë të rinj, infermiere dhe staf mjekësor”.
Nga 5400 shtretërit në spitale në Itali, shtatë rajonet jugore dhe ishujt kanë vetëm 1582 në total. Rajoni i Campania-s aktualisht ka 149 raste; 56 po trajtohen në spitalet infektive të Napolit, me 11 në kujdes intensiv. Nëse ky numër do të rritet, atëherë spitalet e tjera të qytetit, duke filluar me Cardarellin, do të hyjnë në lojë. Personel me maska dhe me kostume mbrojtëse qëndrojnë në gatishmëri edhe në një tendë të ngritur jashtë repartit ku të ardhurit me simptoma të dyshimta do të testohen.
“Veriu na ka gjetur të papërgatitur, por sidoqoftë kishim kohë të merrnim masa. Shpresoj që do të mjaftojnë. Mjekët e kujdesit intensiv po konsiderohen këto kohë si heronj, por ne nuk mund të bëjmë mrekulli”.
Shumë banorë të jugut, që punojnë në veri, pas masave shtrënguese të marra nga autoritetet, janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke sjellë kështu edhe rrezikun e virusit direkt tek të dashurit e tyre. Pavarësisht informacioneve të medias, që flasin edhe se si epidemia e mundshme në jug do ta gjunjëzonte vendin, shumë napolitanë, nuk kanë dashur të mbyllen në shtëpitë e tyre, por kanë bërë shëtitje me biçikleta, në shëtitore apo nën rreze dielli.
Top Channel