Metallica anuloi pjesëmarrjen në dy festivale të rëndësishme muzikore, të planifikuara në fund të këtij viti e shkaku është gjendja e rënduar e vokalistit, James Hetfield.
Këngëtari i grupit të famshëm ka pasur prej kohësh probleme me drogën dhe alkoolin, që me sa duket, po përpiqet të kapërcejë. Shtatorin e 2019-tës, Hetfield u regjistrua në një qendër rehabilitimi, çka e detyroi grupin të ndryshonte disa evente të programuara.
Përmes një mesazhi, Hetfield i kërkoi publikisht ndjesë fansave.
“ Familja e dashur e Metallica-s, më dhemb shumë që më duhet ta them këtë, por nuk do të jem këtë vit në Columbus dhe Louisville. Ju kërkoj ndjesë të gjithë fansave që kanë blerë bileta në këto festival. Po punojmë me organizorët e tyre për të siguruar rimbursime”, ka shkruar mes të tjerash ai.
Në vend të Metallica-ve, në festivalin “Columbus’ Sonic Temple”, i cili mbahet në muajin maj, dhe atën “Louisville’s Louder Than Life”, të planifikuar në shtator do të marrin pjesë grupet “Red Hot Chili Peppers” dhe “Tool”. Hetfield u shpreh sidoqoftë se terapia po shkon shumë mirë dhe së është optimist për atë që e pret në të ardhmen.
Top Channel