Në një deklaratë për mediat, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi foli sa i takon Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku pasi shprehu falenderimin e saj për donacionet e mbledhura, tha se duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare.
“Sigurisht që buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe, sepse prej vitesh po kërkon për të marrë kredi nëpër bankat dhe institucionet ndërkombëtare për të paguar pagat dhe për të paguar shpenzimet administrative. Kishim një shumë prej 885 milionë euro, të cilat janë në formë huaje, në formë borxhi që janë para që do ti paguajnë shqiptarët me taksat dhe paratë tona, do t’i paguajnë fëmijët e shqiptarëve”, u shpreh Kryemadhi ndër të tjera, duke shtuar se kjo qeveri është e paaftë në menaxhimin e buxhetit të shtetit.
Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:
Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga selia e saj të falënderoj dhe t’i jem mirënjohëse për ndihmën dhe mbështetjen e miqve tanë europian, por jo vetëm europian, por dhe nga e gjithë bota që treguan dje në takimin e djeshëm në kuadër të ndihmës për rimëkëmbjen e Shqipërisë, por që më shumë shkonte për rimëkëmbjen e shtëpive të dëmtuara të shqiptarëve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ky falenderim është më shumë se falënderim, por është një shpresë, e cila do t’u japë shqiptarëve forcën, kurajon për të vazhduar betejën e tyre dhe për t’u treguar atyre që nuk janë vetëm, por janë gjithmon të përkrahur dhe janë gjithmonë në mbështetje nga popujt e tyre, nga Bashkimi Europian dhe nga institucionet ndërkombëtare.
Takimi i djeshëm tregoi qartë që nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por përkundrazi ata i duan dhe i respektojnë ata dhe madje ndjejnë detyrim për t’i ndihmuar.
Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne është që notat e entuziazmit tashmë mbaruan, por duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare.
Dje në takim pothuajse me përafërsi akoma të pazyrtarizuara përfundimisht, por në atë çka është deklaruar dhe dje, për shqiptarët dhe shtëpitë në rindërtim do të shkojnë 265 milion euro, të cilat janë para që do t’i krijojnë mundësi për shqiptarët dhe familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre, të mos vazhdojnë të paguajnë kreditë e kripura që janë ngritur pas tërmetit. Do të thotë që të ndërtohen sa më shpejt shtëpitë e tyre, që jo të dalë dimri i vitit tjetër, por edhe pranvera e këtij viti ata të hyjnë të lumtur në shtëpitë e tyre, sepse takimi i djeshëm ia dha këtë mundësi dhe shans që ata të jenë të qetë dhe të hyjnë sa më shpejt në shtëpitë e tyre.
Nga ana tjetër, sigurisht që buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe, sepse prej vitesh po kërkon për të marrë kredi nëpër bankat dhe institucionet ndërkombëtare për të paguar pagat dhe për të paguar shpenzimet administrative. Kishim një shumë prej 885 milion euro, të cilat janë në formë huaje, në formë borxhi që janë para që do ti paguajnë shqiptarët me taksat dhe paratë tona, do ti paguajnë fëmijët e shqiptarëve. Prandaj është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi, të pavarur, me ekspertë që do të bëjnë monitorimin e të gjithë këtij projekti, sepse ajo që është edhe më e rëndësishme është që besimi i shqiptarëve te kjo qeverisje ka humbur.
Duke ripërsëritur edhe njëherë atë që tha dhe z. Matthew Palmer dje në konferencë: “SHBA do të themelojnë me paratë që kanë dhënë dje akademinë e transparencës, e cila do të ndihmojë Shqipërinë për administrimin në mënyrë transparente, llogaridhënëse të donacioneve të pas tërmetit dhe fondeve të tjera publike.”
Gjë që tregon shumë qartë atë çka është dhe shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, sepse tashmë shqiptarët janë mësuar që paratë e tyre nuk shkojnë më në shërbim të tyre, por në xhepat e qeveritarëve të Rilindjes.
Prej shumë kohësh kjo qeveri ka treguar që është e paaftë për të qeverisur buxhetin e shqiptarëve. Prej shumë kohësh kjo qeveri ka treguar që është e paaftë për të krijuar vende të reja pune për shqiptarët. Jo vetëm që nuk ka krijuar vende të reja pune, por përkundrazi ka mbyllur vendet e punës. Ka mbyllur bizneset e shqiptarëve. Kjo qeveri ka treguar që është e paaftë për t’u shërbyer shqiptarëve, në shëndetësi, në arsim, për të krijuar mundësinë e subvencioneve në bujqësi e kështu me radhë.
Ne e dimë që kjo qeveri është e paaftë në menaxhimin e buxhetit të shtetit. Ne e dimë që kjo qeveri është e paaftë në strategjinë e saj për uljen e çmimeve për shqiptarët. Ne e dimë që kjo qeveri është e paaftë në strategjinë e saj për të rritur pagat e shqiptarëve, por përkundrazi për të mbyllur dyert e tyre. Dhe ajo që ne duam të theksojmë dhe është e rëndësishme për të gjithë ne, është që takimi i djeshëm ishte një takim shumë i rëndësishëm për t’u dhënë forcë dhe shpresë shqiptarëve që nuk janë vetëm në betejën e tyre përballë një grupi njerëzish, të cilët jo vetëm nuk ndjejnë dhembshuri për shqiptarët, por përkundrazi kërkojnë të përfitojnë nga fatkeqësia e shqiptarëve.
Ne do të jemi të gatshëm dhe do të jemi vigjilentë për të ndjekur hap pas hapi çdo projekt që ka të bëjë me rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Por jo vetëm të shtëpive, por edhe të shkollave, të kopshteve, të çerdheve, të kishave dhe xhamive, të cilat janë objekte që janë në shërbim të qytetarëve. Dhe absolutisht do të ndjekim hap pas hapi nëse kjo qeveri këto para të cilat dje Europa ju a dha shqiptarëve, do ti përdori për fluturimet e tyre luksoze, për zyrat e tyre luksoze apo për investimet e tyre të luksit të administratës. Tashmë nuk ka më arsye për të zvarritur zgjidhjen e problemeve të familjeve të cilat kanë humbur shtëpitë dhe flenë në çadër, tashmë ne presim me padurim që të shikojmë sa më shpejtë shtëpitë e para dhe ndërtesat e para, ku qytetarët të cilët humbën ndërtesat e tyre në tërmetin e 26 nëntorit të jenë të strehuar dhe fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë si të gjithë fëmijët e tjerë. Por edhe është shumë e rëndësishme që jo vetëm për ato shtëpi dhe ndërtesa që janë dëmtuar por që janë dhe qindra e mijëra familje të tjera të cilat janë të rrezikuara në rast të një tërmeti tjetër në mënyrë të tillë që kjo gjë të mos ndodhi më, siç ndodhi në 26 nëntor. Unë dua të falënderoj edhe njëherë në emër të Lëvizjes Socialiste Për Integrim të gjithë donatorët, të gjithë shtetet dhe popujt miq të cilët treguan edhe njëherë që në ditë të vështira ata i qëndrojnë pranë shqiptarëve.
Faleminderit.
Top Channel