Presidenti i Francës, Emmanuel Macron thotë se pret nga Kosova që të heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe nga Beogradi që të ndalë fushatën për “ç’njohjet”.
Sipas tij, këto dy veprime duhet të ndërmerren në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Siç edhe e kam cekur më 12 nëntor të vitit të kaluar, gjatë Forumit të Paqes në Paris, ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe gatishmërinë time për të mirëpritur, në Paris, një samit që bashkon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josp Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut. Për këtë priten veprime nga të dy palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina; dhe pezullimi i fushatës për ‘çnjohje’ nga ana e Serbisë”, thuhet në letrën e urimit që Macron i ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në prag të përvjetorit të 12 të pavarësisë së Kosovës.
Sipas presidentit Macron, pas rinisjes së dialogut, i takon Bashkimit Evropian që të lehtësojë bisedimet që Kosova dhe Serbia të arrijnë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe të detyrueshme ligjërisht”.
Presidenti Macron po ashtu ka folur edhe për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, e cila sipas tij, duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave.
“Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të zbatuar reformat e nevojshme të brendshme dhe që vendosmërisht të angazhohet në kërkimin e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë”, ka thënë Macron.
Pompeo i shkruan Kurtit, taksa dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë konsiderohen prioritete
BE-ja pa qëndrim ndaj propozimit të Kurtit për reciprocitet
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011. Por, bisedimet u ndërprenë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se taksën do ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit. Por, vendosja e reciprocitetit nuk ka gjetur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka kërkuar nga Prishtina zyrtare, që ta heqë taksën, pa vendosur reciprocitetin.
Top Channel