Në 10 vitet e ardhshme, qytetarët mund të përballen me tarifa më të shtrenjta të ujit.

Në strategjinë kombëtare për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve 2020-2030, të prezantuar nga qeveria, parashikohet një rritje prej 75% të tarifës së ujit deri në vitin 2030 me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve.

Ndërkohë, sipas studimeve të entit rregullator të ujit fatura mujore mund të arrijë deri në 5% të shpenzimeve mujore për një familje. Baza e matjes së shpenzimeve familjare është marrë nga INSTAT dhe llogaritet mbi 70 mijë lekë në muaj. Sipas kësaj metodologjie, fatura mujore mund të shkojë mbi 3600 lekë për klientët familjare. Kjo do të sillte nga trefishim deri në rritje me një të tretët e faturës për çdo konsumator.

Deri më tani këtë kufi pothuajse e kanë arritur çmimet e ujit për dy qytete të mëdha, Durrës dhe Korça dhe sipas entit rregullator të ujit tarifat për këto bashki nuk do të rriten më. Çmimet e furnizimit publik me ujë vendosen nga ERRU pas propozimeve që vijnë nga pushteti lokal që administron ujësjellësat. Ndërkohë në strategji nënvizohet fakti se Shqipërisë I duhen 1.5 miliard euro investime në ujësjellës kanalizimin në 10 vitet e ardhshme për të përmirësuar situatën e furnizimit me ujë në vend.

Top Channel