Teksa ndodhet në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i vendit Ilir Meta është pritur ditën e sotme nga Senatori Republikan Ron Johnson, Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe i Nën-Komisionit për Europën.
Gjatë takimit, Presidenti Meta theksoi se “SHBA janë partneri strategjik, i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të SHBA në Ballkanin Perëndimor, si faktor kyç për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”.
Gjatë bisedave të dy politikanëve, është diskutuar edhe për çështjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ku Presidenti Meta u shpreh se “marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të prodhojë paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues”.
Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë”.
Presidenti Meta kërkoi mbështetjen e Senatorit Johnson për marrëveshjen e heqjes të taksimit të dyfishtë midis Shqipërisë dhe SHBA, që do të sillte lehtësira në fushën e tregtisë dhe investimeve.
Nga ana e Tij, Senatori Johnson shprehu angazhimin për të kontribuar në rritjen e vëmendjes në Senatin e SHBA për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
Kreu i Shtetit e ftoi Senatorin Johnson për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.
Top Channel