Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, ndien keqardhje për faktin që skuadra e tij nuk arriti të fitonte me Skënderbeun, por nuk e fsheh krenarinë e të qenit kryesues i Superiores, edhe pse nënkapionët e Shqipërisë nuk kanë ende një “shtëpi” të tyren.
Lojë me nivel: Në futboll janë të gjitha rezultatet. Më ka pëlqyer loja e skuadrës sime. Kemi dominuar ndaj Skënderbeut. Ishte pakujdesi momenti i golit. Në pjesën e dytë kishim shumë raste, por te pasimi i fundit kemi gabuar. E përgëzoj skuadrën, pasi objektivi ishte vendi i parë dhe ia arritëm. Është një meritë e padiskutueshme, pasi nuk luajmë në fushën tonë.
Zëvendësimi i Shkurtajt: Kemi bërë në pak ditë tri ndeshje. Ishte një zgjedhje taktike, por edhe për çlodhje. Na mungonte edhe Limaj, një nga lojtarët më të mirë të skuadrës.
Starti me ritëm të ulët: Është përmirësuar kjo gjë. Edhe në pjesën e parë kishim rastet tona. Kemi krijuar, kemi dalë në fundore, vetëm pasi i fundit ka munguar. Unë them që e dominuam shumë skuadrën kundërshtare. Unë u çudita me Skënderbeun si qëndronte në mbrojtje. Nuk u befasuam me kundërsulmet.
Kryesues me pak pikë: Kampionati ka qenë shumë i ekuilibruar. Këta janë djem janë heronj, sepse të gjithë kanë tifozë, ndërsa neve na vijnë 5 tifozë këtu dhe shajnë futbollistët e tyre. Jemi në një ambient shumë të ftohtë, ndryshe nga skuadrat e tjera, dhe të jesh në vendin e parë është meritë e tyre. I përgëzoj të gjithë për atë që kanë dhënë.
Obanor: Më prishi punë në atë moment. Është lojtar që punon mirë me kokë, por janë gjëra që ndodhin. Unë jam dyshues, për golin e pjesës së parë dhe i kam kërkuar llogari Jorgjit. Edhe rasti i Mustës, që kishte prekje për penallti, më ka mbetur në mendje. Unë këtë i thashë Jorgjit, që edhe nëse ka përfunduar loja, duhet ta lejonte për dinamikën e lojës. Për mua ishte gol i anuluar padrejtësisht nga Jorgji./Supersport.al
Top Channel