Rama: Viti 2020, i rindërtimit. Tri lagjet e reja në Tiranë, Durrës e Laç. 20 miliardë lekë nga buxheti

05/12/2019 19:03

Viti 2020 shpallet nga kryeministri Edi Rama si viti i rindërtimit pas pasojave shkatërruese të tërmetit të 26 Nëntorit.

“Do të ndërtojmë një lagje të re në Durrës, Laç dhe tre në Tiranë, njëren tek “5 Maji”, një në “Kombinat” dhe e treta në “ish -uzinën e autotraktorëve”, tha Rama.

Kryeministri nga foltorja e parlamenti foli me shifra konkrete se sa para të buxhetit të shtetit shkojnë për programin e rindërtimit.

“Ne do ta programojmë procesin sikur të mos marrim asnjë lekë nga bota. Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme, por e gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar”, tha ai më tej.

Sipas kryeministrit i gjithë ky operacion masiv për të rikuperuar dëmet e tërmetit nuk prek parametrat e buxhetit.

“ne nuk do t’i prekim parametrat kryesor të buxhetit vjetor, nuk do ta prekim ekonominë në funksion të rindërtimit, do të përdorim rindërtimin në funksion të ekonomisë. Ne nuk do marrim nga një anë e popullit dhe t’ia japim anës tjetër”, tha ai më tej.

Shqetësimit të deputetëve të opozitës për vënien para përgjegjësisë të atyre që ndërtuan pa parametra kryeministri Edi Rama u dha këtë përgjigje.

“Është fotografuar gjithçka, edhe para dhe mbrapa procesit, po bëhen dosjet gati. Të gjitha ndërtimet janë në proces hetimi”, tha Rama.

Top Channel