Nga ky vit ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë, por kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se liberalizimi i vizave për kosovarët do të mundësohet brenda këtij viti. Në një intervistë për KosovaPress ai thotë se dhjetori mbetet një opsion që Kosova të marrë lajmin për liberalizimin e vizave.

“Ekziston mundësia reale ajo që kishim pas dëshirë është që të paktën një anëtarë i Këshillit, një vend, një shtet, si rasti i Gjermanisë që ministri e ka deklaruar, por tani ta formalizon vendimin që sa i përket Gjermanisë kosovarët mund të udhëtojë pa viza. Kjo kish qenë mirë me ndodh para krishtlindjeve, para vitit të ri. Jemi duke punuar ende, është bukur ngushtë në kohë me thënë të drejtën, bukur vështirë është”, shprehet Haradinaj.

Vetë kosovarët janë skeptik për sa i takon liberalizimit të vizave, pasi procesi është tejzgjatur, por Haradinaj përmend dhjetorin dhe thotë se premtimin për heqje vizash nuk e bën për vota, pasi zgjedhjet tani kanë kaluar.

“Po ka skeptikë, po ka kundërshtues, po ka inatqor, jo veç në Kosovë, po edhe jashtë, edhe në rajon që po mundohen me i pengua këto procese. Unë më nuk i bëjë për shkak të votave, se njerëzit zakonisht kujtojnë që e kemi hallin te vota, zgjedhjet janë kryer shpresoj që të ndodh sa jam unë në zyre, nëse jo nesër vjen tjetri shpresoj ditën e parë ta ketë liberalizimin”, tha Haradinaj.

Haradinaj i kthehet edhe një herë të ashtuquajturit Shengen Ballkanik dhe thotë se është një ide e rrezikshme për Kosovën. Ai thotë se pavarësisht lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, pa një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, minishengeni do të ishte i dëmshëm për vendin. Madje sipas tij, nëse Kosova bëhet pjesë e kësaj ideje, do të rrezikonte liberalizimin e vizave me BE.

“Ne na kanë kritikuar evropianët kur kemi dashur me i heq vizat ndonjë shteti, kanë thënë më këtë rast e humbni të drejtën e liberalizimit ndaj nesh. Pra, na kanë bërë disa herë kritika, e Serbia e ka fituar liberalizimin, po i ka ruajtur disa marrëdhënie me disa shtete të vendeve të ndryshme të botës, ne nuk e kemi atë privilegj me bë njëjtë si Serbia, e cila nuk dëshiron me hy në NATO, e cila ka marrëdhënie të mira me Kinën me Rusinë, me plotë të tjerë. Për ne është krejt ndryshe”, shprehet ai.

Top Channel