Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kërkoi nga “Netflix”, të ndryshojë një dokumentar të tij ku përfshihet një hartë me kampe naziste të vdekjes brenda kufijve të Polonisë moderne.

Kampet u ndërtuan nga gjermanët në tokën polake gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, por harta e përdorur në dokumentar, sipas Morawieckit, nënkupton që Polonia ekzistonte në atë kohë si shtet i pavarur brenda kufijve të saj të pasluftës dhe kështu mund të ndajë përgjegjësinë për mizoritë naziste.

Harta shfaqet në dokumentarin e Netflix-it “The Devil Next Door”, i cili tregon historinë e John Demjanjuk, një pensionist amerikan i dënuar nga një gjykatë gjermane në vitin 2011, për rolin e tij si roje e një kampi nazist të vdekjes gjatë luftës.

“Nuk ka asnjë koment ose ndonjë shpjegim se këto lokacione operoheshin nga Gjermania”, tha Morawiecki në letrën dërguar shefit ekzekutiv të Netflix-it, Reed Hastings.

“Meqë vendi im nuk ka ekzistuar në atë kohë si shtet i pavarur dhe miliona polakë janë vrarë në këto vende, atëherë ky element i ‘The Devil Next Door’ nuk është asgjë më pak sesa rishkrim i historisë”, shtoi ai.

Morawiecki po ashtu tha se beson se gabimi është i paqëllimshëm dhe se kompania do ta korrigjojë shpejt, qoftë duke modifikuar hartën, qoftë duke dhënë shpjegime të mëtejshme për shikuesit. I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Netflix-it i tha Reuters-it se kompania është e vetëdijshme për shqetësimet dhe se po e rishikon çështjen me urgjencë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA