28 maji i vitit 1934 ishte koha e Depresionit të Madh, por doktori Alan Roi Dafoe ishte i lumtur sepse sapo kishte ndihmuar të vinin në jetë pesë vajza identike, pesënjake, në një fermë në Kanada, ku ende nuk kishte energji elektrike. Ai nxitoi të njoftojë mediat, të cilat erdhën brenda 6 orësh që të bënin fotografinë që do të shihej nga e gjithë bota.

Pesë vajzat ishin nën peshë, në gjendje të vështirë shëndetësore. Mamaja e tyre po ashtu, e cila kishte pesë fëmijë dhe tani ishte bërë me dhjetë. Megjithatë, fotoja duhej bërë. Vëmendja e mediave u duk pozitive, sepse gazetarët sollën me vete inkubatorë që ndihmuan vajzat të shtojnë peshë. Spitalet që lexuan lajmin dërguan qumësht gjiri, dhe Kryqi i Kuq solli infermiere. Mirëpo lajmi ishte aq i madh për kohën, sa fusha përpara shtëpisë së fermës u kthye në një parkim për vizitorët që vinin nga të gjitha anët për t’u afruar te xhamat e shtëpisë, me shpresën se do të shihnin pak pesënjaket.

Ndërkohë, babai i vajzave, Oliva Dion, shqetësohej se si do të mbulonte shërbimet mjekësore në kohën e Depresionit të Madh, pasi ato ishin ende të dobëta. Atij i kishin ardhur shumë oferta nga mediat për t’i shfrytëzuar vajzat për shfaqje, por i dukej e pamoralshme. Për këtë arsye, ai pyeti priftin e fshatit nëse do të ishte mirë t’i përdorte vajzat për fitim, duke nënshkruar kontrata. Prifti vendosi të bëhet menaxheri i tij i biznesit në këtë aventurë.

Kështu, Oliva Dion firmosi që vajzat të nxirreshin në një panair në Çikago, sapo të bëheshin më mirë, për gjashtë muaj rresht. Si këmbim do të merrte dhjetëra mijëra dollarë, një luks në kohën e depresionit, si dhe vajzat do të kishin kujdes të garantuar. Por u pendua shumë shpejt, sepse mjekët e sjellë nga gazetat i izoluan vajzat me infermiere dhe as prindërit nuk lejoheshin pranë. Më pas, përballë shtëpisë u ndërtua një spital i vogël vetëm për vajzat.

Ai kërkoi t’i riktheheshin vajzat si më parë, por organizatorët nga Çikagoja donin të zbatohej kontrata. Ndërkohë, vajzat nuk ishin ende me shëndet të mirë. Kjo e bëri Prokurorin e Përgjithshëm të Ontarios të ndërhyjë e t’ia japë kujdestarinë Kryqit të Kuq për dy vite, për të mirën e vajzave. Por pas disa muajsh, drejtuesit e Ontarios ia hoqën fare kujdestarinë prindërve dhe i morën vajzat nën tutelën e shtetit, duke sjellë si argument prapë “të mirën e tyre”, pasi prindërit ishin shpallur nga mediat tani si fermerë injorantë që nuk i mbanin dot të shëndetshme.

Pas kësaj, për vajzat u ndërtua praktikisht një kopsht zoologjik. Një zonë e rrethuar me xhama, ku ato mund të luanin dy herë në ditë, të pesta, dhe të vëzhgoheshin nga mijëra vizitorët që vinin në ditë. Xhamat ishin të errët nga brenda dhe vajzat nuk i shihnin dot vizitorët. Rrotull zonës kishte tenda për hot-dogë, dyqane suveniresh, dhe në vitin 1937 arriti të tërheqë më shumë turistë se Niagara. Veç kësaj, organizatorët fitonin para edhe nga fotot nëpër revista, reklama të ndryshme, etj.

Prindërit vazhduan përpjekjet për t’i marrë vajzat të jetonin me fëmijët e tjerë, dhe ia dolën vetëm në vitin 1943. Ndarja e disa viteve e kishte krijuar dëmin tashmë, pasi vajzat ndiheshin në faj për vuajtjet që kishte kaluar familja. Madje ato thanë që babai i trajtonte ashpër, u bërtiste dhe i fyente. Por edhe pasi u rritën, ato ishin të detyruara të visheshin njësoj e të vazhdonin të bënin fotografi për mediat.

Prindërit e mbajtën sekret dhe epilepsinë që kishte njëra prej vajzave. Kur mbushën 19 vjeç, më e vogla prej tyre, dhe më e dobëta, i befasoi të gjithë duke braktisur familjen e duke shkuar në një manastir murgeshash. Emilia, e cila ishte ajo me epilepsi, e ndoqi në manastir por vdiq një vit më vonë, në moshën 20 vjeçare, nga ndërlikimet me sëmundjen. Katër motrat u detyruan të bëjnë foto pranë trupit të saj.

Më pas, vajzat u rritën dhe u martuan, por e kishin të vështirë të mbanin lidhje me njerëz të tjerë përveçse me njëra-tjetrën, dhe martesat e tyre nuk zgjatën. Njëra prej motrave u gjet e vdekur në vitin 1970, pas një divorci dhe pasi kishte lënë fëmijët në jetimore. Nuk u tha se nga vdiq, por trupi u gjet pranë një kutie me shumë ilaçe.

Në vitet 1990, tre motrat e mbetura ishin shumë keq nga gjendja financiare. Djali i njërës prej tyre, Sesilës, i nxiti që të padisnin qeverinë kanadeze për t’i detyruar t’u jepnin përfitimet që mendonin se u ishte marrë nga vendimet e së shkuarës, dhe fituan 4 milionë dollarë. Por ironia është se tani që është 85 vjeçe, djali i saj i ka mbajtur paratë për vete dhe Sesila është sërish në dorë të shtetit, në një azil për pleq, ndërkohë që i ka mbetur vetëm njëra prej motrave gjallë.

Tani është shkruar një libër për historinë e jetës së tyre.

Aj.P

FOTO GALERI
2/27
Pesë vajzat ishin nën peshë, në gjendje të vështirë shëndetësore. Mamaja e tyre po ashtu, e cila kishte pesë fëmijë dhe tani ishte bërë me dhjetë. Megjithatë, fotoja duhej bërë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA