Live me Luizin/ “Babai me mua në burg, e kisha shok dhome”, Ngjela: Ja çfarë do bëja po të isha kryeministër i vendit
Reperi amerikan Kanye West, i njohur tashmë si Ye, po përballet me një tjetër padi gjyqësore lidhur me operën biblike “Nebuchadnezzar”, e prezantuar në vitin 2019 në Hollywood Bowl.
Një muzikant pretendon se është mbajtur i mbyllur në një ambient të shkollës së mesme në Wyoming dhe është detyruar të kompozonte muzikën e operës në kushte të vështira dhe brenda një afati shumë të shkurtër.
Sipas padisë së siguruar dhe raportuar fillimisht nga revista “Rolling Stone”, paditësi Chase Taylor pretendon se ishte kontaktuar nga Kanye West për të marrë një rol kryesor në një operë, të cilën ai besonte se ishte tashmë e përfunduar.
Taylor udhëtoi nga Karolina e Veriut drejt Wyomingut, më pak se një javë përpara provave. Por, sipas pretendimeve të tij, pasi mbërriti, u dërgua në shkollën e mesme Cody, ku u fut në një dhomë të përdorur nga orkestra e shkollës dhe dera u mbyll.
Vetëm pasi mbërriti, muzikanti mësoi se opera ishte ende larg përfundimit. Përveç rolit kryesor dhe interpretimit si solist, atij iu kërkua të kompozonte një pjesë të madhe të muzikës dhe ta bënte produksionin gati për skenë brenda vetëm katër ditësh.
“Të pandehurit mbyllën derën dhe urdhëruan Taylorin të punonte derisa opera të përfundonte”, thuhet në padinë e paraqitur në gjykatë.
Sipas dokumentit, për të siguruar bindjen e tij, West dhe bashkëpunëtorët i premtuan pagesë të majme, kreditimin si producent dhe mundësi të tjera pune në të ardhmen. Taylor pretendon se kundërshtoi kushtet në të cilat po mbahej, por ankesat e tij nuk u morën parasysh.
Në padi thuhet se Taylor ishte ngarkuar gjithashtu me koordinimin e muzikantëve të tjerë, të cilët, kur kishin nevojë për pushim, detyroheshin të uleshin ose të flinin në dyshemenë e dhomës së ngushtë të orkestrës.
Ai pretendon se West dhe punonjësit e tij nuk siguruan ushqim të mjaftueshëm për më shumë se 150 interpretuesit e përfshirë në produksionin e organizuar me nxitim.
“Taylor kundërshtoi kushtet abuzive dhe u kërkoi të pandehurve, përmes producentit të West, të hapnin dyert e dhomës, të siguronin ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, si dhe kohën e nevojshme që muzikantët të pushonin. Të pandehurit i injoruan këto kërkesa”, thuhet në dokumentin gjyqësor.
Padia u depozitua të mërkurën në një gjykatë federale në Karolinën e Veriut. Sipas raportimit, Taylor dhe përfaqësuesit e West kishin arritur një marrëveshje në vitin 2020 për pezullimin e afateve ligjore të pretendimeve të tij, me qëllim që palët të kishin kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjen pa iu drejtuar gjykatës.
Kjo nuk është padia e parë që lidhet me produksionin “Nebuchadnezzar”. Edhe muzikanti Willie Alexander ka ngritur një padi të ngjashme, duke pretenduar se ishte ftuar në Wyoming për të punuar në operë, por kishte mbetur i befasuar kur kishte zbuluar se vepra nuk ishte shkruar ende.
Sipas pretendimeve të tij, Alexander u detyrua të kompozonte dhe të orkestronte pjesën më të madhe të operës pothuajse nga e para, brenda të njëjtit afat kohor.
Padia e tij përfshin pretendime për keqinformim të qëllimshëm dhe nga pakujdesia, përdorim të paautorizuar të imazhit dhe premtime të rreme që e kishin bindur të ofronte shërbimet profesionale kundrejt një pagese më të ulët.
Ky proces vijon në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, ndërsa një konferencë e detyrueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është caktuar për 12 janar 2027.
Ndërkohë, në një tjetër çështje ligjore, Kanye West ka rënë dakord të paguajë 1.35 milionë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive të ngritur në emër të qindra interpretuesve dhe punonjësve të përfshirë në produksionin e vitit 2019.
Gjykata miratoi përfundimisht marrëveshjen në korrik 2025 dhe, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga “Rolling Stone”, më shumë se 600 persona morën çekët e dëmshpërblimit. Megjithatë, një njoftim i paraqitur në maj bëri të ditur se 257 çeqe, me vlerë totale 277.210 dollarë, nuk ishin arkëtuar brenda afatit të përcaktuar. Një seancë për shqyrtimin e statusit të marrëveshjes është planifikuar për 8 dhjetor.
Në padinë e re, Taylor pretendon gjithashtu se ai dhe muzikantët e tjerë ishin bindur të punonin kundrejt pagesave më të ulëta, pasi operat “Nebuchadnezzar” dhe “Mary” iu ishin prezantuar si projekte bamirësie me karakter fetar.
Sipas tij, u ishte thënë se të ardhurat do të përdoreshin për të “shpëtuar shpirtra”, por në realitet produksionet gjeneronin të ardhura nga shitja e biletave.
“Të pandehurit i thanë vazhdimisht Taylorit se operat ishin angazhime jofitimprurëse, të realizuara për qëllime fetare. Kjo ishte një gënjeshtër. West dhe kompanitë e bashkëpandehura u shitën bileta pjesëmarrësve dhe, sipas informacioneve dhe besimit tonë, përvetësuan fitimet”, thuhet në padinë prej 45 faqesh.
Muzikanti pretendon gjithashtu se premtimet për punë të ardhshme dhe kreditimin si producent nuk u realizuan kurrë. Për më tepër, ai akuzon West se ka përdorur më pas kompozimet dhe aranzhimet e tij në këngë të publikuara komercialisht, pa marrë lejen dhe pa i dhënë kompensimin përkatës.
Mes tyre përmendet kënga “Telekinesis” e Travis Scott, ku Kanye West figuron si bashkautor, si dhe disa këngë nga albumi “Vultures 2”.
Përmes padisë, Taylor kërkon që gjykata të njohë të drejtën e tij të autorësisë mbi kompozimet, t’i japë një pjesë të fitimeve të gjeneruara nga këngët ku pretendohet se është përdorur muzika e tij pa autorizim, si dhe të caktojë dëmshpërblim për mashtrim, privim të paligjshëm të lirisë dhe praktika të padrejta tregtare.
Deri në momentin e publikimit të raportimit të “Rolling Stone”, përpjekjet për të kontaktuar avokatët ose përfaqësuesit e Kanye West nuk kishin marrë përgjigje.
Top Channel