Rreth 16 mijë vargje të “Iliadës” së Homerit, sapo panë dritën e botimit në shqipen standarde nën përkthimin e Llambro Rucit. Ajo është në formën e një poeme, ashtu siç edhe këndohet në teatrot greke. Një vepër madhore që dikur Naimi filloi të përkthente e që shumë breza shkollorë e kanë pasur në tekstet e tyre.

Që nga zemërimi i Akilit e deri tek funerali i Hektorit janë 51 ditë që përbëjnë poemën më të famshme të historisë së njerëzimit, Iliadën e Homerit. Kjo poemë, e cila i kushtohet bëmave të heronjve. Madhështisë së tyre, por që mbyllet me ndërgjegjësimin e hidhur të brishtësisë njerëzore.

“Mendoj që është një vepër madhore edhe për shkakun se i njëjti përkthyes ka përkthyer më parë dhe ka botuar Odisenë dhe në këtë mënyrë ka një njohje të jashtëzakonshme të veprës së Homerit dhe pastaj atë e ka sjellë në shqip në mënyrë të qëndrueshme”, shprehet Irena Toci.

Toci shkon edhe më tej duke kërkuar reflektim për ta bërë Iliadën e shqipes standarde pjesë të kurikulave mësimore.

“Unë besoj që është momenti i duhur për të reflektuar dhe për ta përdorur gjerësisht nëpër shkollat tona leximin e kësaj vepre që është në shqipen standarde, që është e pajisur me një parathënie të përthyesit Llambro Ruci, që është e pajisur me shënime të hollësishme që ta vejnë veprën më të lehtë për ta kuptuar”, shton Toci.

Llambro Ruci për fat të keq nuk e pa dot librin në duart e lexuesve. Një sëmundje e beftë I mori jetën rreth një vit më parë, e misionin e tij e çoi deri në fund bashkëshortja.

“Llambro punonte shumë, cdo ditë me përkthimin dhe Iliada dhe Odisea, më saktë Homeri ishin misioni i jetës së tij. fakti që Iliada vjen në shqip nga një gjuhë kaq e lashtë dhe e pasur tregon që dhe shqipja jonë është shumë shumë e pasur dhe Llambro këtë e jepte mjeshtërisht”, tha bashkëshortja e Llambro Rucit.

Ky botim është një ndihmë dhe aset i shtuar jo vetëm për studiuesit e letërsisë, për përkthyesit e rinj, por edhe për lexuesin e thjeshtë.

Jetona Kocibelli

Top Channel