Filmi “Guxim” shfaqet në Gjirokastër, distribucioni i “Top Channel Films” pritet mjaft mirë

28/04/2024 20:13

Filmi “Guxim” mbërriti në premierën e tij sot në Gjirokastër. Ai u shfaq për artdashësit në kinemanë e qytetit ku pjesë e publikut kanë qenë edhe shumë artistë lokalë.

Filmi që e sheh veten si pjesë e realitetit shqiptar sjell për publikun një atmosferë ndryshe. Dinamika e personazheve, ngjarjeve, aksionit, dramës, aspektit të thellë human dhe realitetit që diktojnë rrethana të caktuara shoqërore i ka dhënë sipas kritikës filmit karakter realist duke mëshiruar jetët e komplikuara të shumë të rinjve shqiptarë dhe të familjes shqiptare nën tranzicion. Paraja dhe pushteti, arroganca dhe krimi diktojnë ngjarje me dinamizëm dhe dramacitet të lartë brenda filmit “Guxim”.

Në rolet kryesore interpretojnë disa nga emrat e mëdhenj të kinemasë shqiptare si Myzafer Zifla, Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Natasha Sela, Drilon Hoxha, Lorenc Kaja, Mimoza Marjanaku, Livia Lozi, Ardit Zela dhe të tjerë. Shumë prej tyre ndoqën nga afër premierën e filmit në Gjirokastër.

Filmi “Guxim” është pritur shumë mirë nga publiku dhe do të vijojë të shfaqet edhe nesër në Gjirokastër.

Top Channel