Një aksident tragjik ishte ai i mbrëmjes së djeshme i cili i mori jetën 2 të rinjve dhe la të plagosur rëndë një të tretë.
Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur rotondo e Kolonjës në aksin Lushnjë – Fier. Tre të rinjtë Oregest Shabani, Alban Doksani dhe Alteo Shabani po udhëtonin nga Fieri në drejtim të Lushnjës me mjetin tip benz që e kishin blerë një ditë më parë.
Në afërsi të rotondos mjeti me të cilën po udhëtonin është përplasur me bankinën anësore dhe me pas ka fluturuar për 30 metra duke u përplasur me disa pemë.
Tre të rinjtë kanë marrë plagë të rënda. Ata janë transportuar në spitalin e Lushnjës ku personi i parë që nuk ka mundur të shpëtoj ka qenë Orest Shabani ndërsa kushëriri i tij Alteo Shabani vdiq rrugës për në Tiranë.
Një nga dëshmitarët të cilët ka nxjerr dhe trupat nga mjeti tregon se ishte diçka e tmerrshme pasi që nga momenti që kishin njoftuar policinë dhe ambulancën u desh 50 minuta për të ardhur dhe për t’i transportuar në spital.
“Makina ishte shtypur goxha shumë, ishte bërë copa. U munduam të hapnin derën, por ajo nuk hapej. Vetëm, një çun kishte dalë jashtë, dy të tjerët ishin brenda. Ishte njëri i cili ishte mbrapa me kostum të kuq, dhe ai djali që ishte para, por kokën nuk ia shikonim dot se tavani ishte i shtypur.
U thashë atyre çunave që ishin lart që të dilnim nga ana e poshtme pasi mund të na zinte makina poshtë.
Pastaj erdhën disa të tjerë, u mblodhën shumë makina këtu, por nuk po dinim çfarë të bënim se ata ishin keq. Ishte dhe shumë errësirë, terr.
Kur pyeta ata çunat që ishin, a keni telefonuar dikë polici ,ambulancë, po më thanë, i kam telefonuar dhe unë dy herë vetë. Por patrullat kanë ardhur pas 50 minutash. Pastaj u munduam vetë që të nxirrnim atë shoferin, s’donim dhe ta lëviznim shumë se kishim hall mos e dëmtonim.
Pastaj kur erdhi ambulanca, pas 50 minutash ishte vetëm një shofer dhe një infermiere. Pastaj i futëm të tre”, tregon Klajdi Ndrecka.
Dëshmitari thotë më tej se shteti duhet të ndërhyjë pasi kjo nuk është ngjarja e parë që humbin jetën njerëz: “Mesa dimë nga jashtë, në një vend kur bëhen disa aksidente merren masa , bëhet rruga, gjenden shkaqet, këtu nuk bëhet asnjë gjë. Ky është një mesazh për politikanët”.
Top Channel