Kastrijot Ahmati

Mediat britanike janë fokusuar gjerësisht në trafikun e emigrantëve që synojnë kalimin në ishull nëpërmjet mënyrave ilegale, kryesisht duke përdorur kamionë që nisen nga Belgjika apo Holanda. Tragjedia ku 39 njerëz humbën jetën pasi u mbajtën mbyllur brenda kamionit figorifer, e ka rikthyer sërish në fokus të mediave trafikun e njerëzve.

The Mail on Sunday raporton për bisedën që një reportere, e cila shtirej si emigrante që kërkonte të kalonte në Britani, ka zhvilluar me një shqiptar të quajtur Kastrijot Ahmati.

Shqiptari i dha gazetares dy mënyra ilegale se si mund të kalonte kufirin. Ose duke përdorur dokumenta false, ose nëpërmjet një kamioni që niset nga Belgjika. Në rastin e parë, gruaja duhet të paguante 17 mijë paund, por nëse zgjidhte kamionin pagesa zbriste në 14 mijë paund.

Kur gazetarja i tha shqiptarit me pseudonimin ‘Kace Kace’ se ndihej e frikësuar për shkak të tragjedisë së fundit, ai i është përgjigjur: “Është çështje fati. Kështu kemi ardhur të gjithë”.

Kastrijot Ahmati mendohet se është edhe një prej administratorëve të grupit ‘Albanians in London’, një faqe në ‘Facebook’ që sipas The Mail on Sunday, koordinon kalimin ilegal të shqiptarëve në Britaninë e Madhe.

Pasi Ahmati është vënë në dijeni të kurthit të ngritur nga gazetarët, ai ka mbyllur menjëherë llogarinë e tij në Facebook.

Metropolitan Police ka tashmë në dorë të gjitha bisedat e zhvilluara midis Kastrijot Ahmati dhe gazetares.

FOTO GALERI
2/4
Disa prej viktimave të identifikuara të tragjedisë në Essex

Top Channel