Ambasadori i Bashkimit Evropian në Afganistan kërkoi sot një armëpushim duke theksuar se ndërprerja e bisedimeve mes SHBA-së dhe talebanëve ofronte një mundësi për të siguruar një ndërprerje të përkohshme të konfliktit.
“Ky është një moment dhe rast i mirë për të shkuar ndoshta përtej një reduktimi të dhunës dhe për të studiuar mënyrat për të arritur një armëpushim”, tha Roland Kobia, ambasador i BE-së në Kabul, në një konferencë shtypi.
Bisedimet mes SHBA-së dhe talebanëve për një tërheqje të forcave amerikane parashikonin një reduktim të dhunës dhe hapje të dialogut ndër-afgan.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dekretoi në fillim të shtatorit pezullimin e bisedimeve të paqes me talebanët pas një sulmi të këtyre të fundit që shkaktoi vdekjen e një ushtari amerikan.
Projektmarrëveshja mes dy palëve do t’i jepte fund një konflikti që datonte që prej vitit 2001, kur amerikanët rrëzuan talebanët nga pushteti.
Sipas Kobias, një armëpushim do të përbënte një ndryshim domethënës që mund të bindë presidentin Trump të rifillonte bisedimet.
Top Channel