Ndonëse duhen edhe disa muaj për të ccelur merkaton e janarit, klubet kanë filluar lëvizjet për të realizuar në kohë objektivat e tyre.
Juve do Eriksen në janar, ofron një mesfushor tjetër në këmbim
Adrien Rabiot po vuan për t’u përshtatur te Juventusi dhe nuk ka bindur aspak në ato raste kur trajneri Sarri i ka dhënë mundësi të luajë nga minuta e parë, ndaj drejtuesit e klubit bardhezi kanë filluar të mendojnë një tjetër plan.
Kështu Paratici ka kontaktuar drejtuesit e Tottenham dhe u ka ofruar pikërisht mesfushorin francez, për të marrë në këmbim danezin Cristian Eriksen, që në muajin janar, duke qenë se këtij të fundit i mbaron kontrata në verën e ardhshme.
Danezi ka refuzuar rinovimin dhe në verën e ardhshme pritet të lërë Londrën, ndërsa në garë për shërbimet e tij janë Manchester United në Angli, por edhe Reali i Madridit e Juventusi, me bardhezinjtë që po tentojnë lëvizjen fituese.
Mandzukic te Manchester United që në janar, ja sa përfiton Juvja
Juventusi dhe Manchester United kanë gjetur akordin për transferimin e Mario Mandzukicit në “Old Trafford” në merkaton e janarit. Kjo është ajo që shkruajnë mediet angleze, sipas të cilave kroati mund të kalojë në Angli që në muajin dhjetor për t’u përshtatur me ambientin e klubit nga Manchesteri.
Mandzukic ka përfunduar tërësisht jashtë planeve të Sarrit, pasi kroati nuk u përfshi as në listën e lojtarëve të cilët kanë të drejtë të luajnë në Champions League.
Transferimi i kroatit në Premier League pritet të kryhet mbi bazën e 11.5 milionë eurove, që do të shkojnë në arkat e bardhezinjve.
Barcelona gjen pasuesin e Suarez te PSV-ja, gati oferta prej 60 mln eurosh
Me Luis Suarez thuajse 33-vjeçar, Barcelona është vënë në kërkim të një tjetër sulmuesi që të zëvendësojë uruguaianin dhe në krye të listës tashmë ndodhet holandezi Donyell Malen.
Ky i fundit në janar pritet të mbushë 21 vjeç dhe prej verës së 2018-ës aktivizohet me gjigantët e PSV Eindhoven, ku në 44 ndeshje, ka arritur të shënojë 20 gola.
Edhe më bindëse janë shifrat e Malen, nëse i referohemi vetëm këtij sezoni, ku ka shënuar 10 herë në vetëm 9 takime, ndërsa ka debutuar edhe me kombëtaren holandeze, ku ka luajtur 3 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
Malen ndiqet prej kohësh edhe nga Arsenal, por futja në garë e Barcelonës mund të ndryshojë krejtësisht situatën, pasi katalanët janë një emër joshës për të gjithë të rinjtë.
Për më tepër, klubi “blaugrana” ka gati një ofertë prej 60 milionë eurosh për të marrë në “Camp Nou” sulmuesin holandez, mbi të cilin do të bjerë barra më pas të zëvendësojë një emër si Luis Suarez.
Terim “i fiksuar” me Calhanoglu, Milani refuzon ofertën e parë
Galatasaray ka vënë si objektiv të merkatos fantazistin e Milanit dhe të kombëtares turke, Hakan Calhanoglu dhe ka nisur nga puna për të bërë të mundur transferimin e futbollistit në Stamboll që në janar të vitit të ardhshëm.
Klubi i drejtuar nga ish trajneri i Milanit, Fatih Terim, u ka ofruar kuqezinjve 6 milionë euro për kartonin e Calhanoglu, shifër kjo e konsideruar shumë e ulët nga dyshja Boban-Maldini, duke qenë se për turkun u paguan 20 milionë euro dy vite më parë.
Në ditët në vijim pritet që drejtuesit e dy klubeve të ulen sërish për të negociuar, ndërsa shumë e rëndësishme do të jetë pozita e Calhanoglu me trajnerin Pioli, pasi nëse nuk shihet si titullar, Milani mund të heqë dorë prej tij.
Top Channel