Mashtrimi për qëllime fitimi përmes shitjes disa herë të së njëjtës pronë nga firma e ndërtimit është kthyer në një dramë me kosto tepër të lartë edhe për Mikel Shollën, 62-vjeçarin nga Durrësi që la Greqinë për të mbrojtur pronën e tij që duhet ta gëzonte qetësisht pas kontratës së bërë mes tij si pronar trualli dhe firmës së ndërtimit “Gora” shpk.

Që nga viti 2007 ai ka nisur betejat ligjore, të cilat nuk kanë të sosur. E njëjta gjykatë që i njeh në vitin 2013 të drejtën e pronësisë bazuar mbi kontratën e sipërmarrjes, 2 vjet më vonë ia heq me një tjetër vendim dhe në padijeni të tij, duke e rikthyer në kalvarin e seancave gjyqësore dhe përballjeve me përmbarimorët.

“Një nga blerësit pasi u nda paqësisht me mua pas ca kohësh i drejtohet gjykatës dhe gjyqtarja pranon kërkesë-padinë për posedimin e shtëpisë, pa praninë time dhe nis gjykimin e jep vendim në mungesë. Në momentin që ka ardhur zyra përmbarimore më njofton komshia. U detyrova të lë punën në Greqi dhe të nis serialin e gjyqeve.

Përpos vendimit flagrant, ka probleme të rënda dhe në përcaktimin e sipërfaqes së apartamentit dhe pozicionin e apartamentit që ndodhet në jug-lindje e jo jug-perëndim”, thotë Sholla.

Në çdo rast që i drejtohej gjykatës për pezullim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor, shorti i binte paradoksalisht me të njëjtën gjyqtare që e kishte dhënë vendimin, pavarësisht kërkesave të tij për përjashtim të saj. Edhe prokuroria së cilës i është drejtuar për të hetuar mbi rastin flagrant të tij ka heshtur.

“Prokuroria nuk më ka thirrur asnjëherë. Shkova dhe te Krimet e Rënda e më thanë ktheju dhe kërko nga Prokuroria e Durrësit pse nuk më ka kthyer ende përgjigje. Por asnjë përgjigje. Po dhe kërkesat që kam bërë për pezullim të ekzekutimit më kanë rënë gjithnjë me të njëjtën gjyqtare, Mimoza Margjekën…”, tregon ai.

As greva e urisë që ndërmori pak ditë më parë nuk vlejti. Ai kuptoi se askush nuk interesohej për fatin e tij dhe vendosjen e drejtësisë. Kete te marte sërish, gjykata e Durrësit ia rrëzoi kërkesën duke i hequr plotësisht besimin te  gjyqësori, po ende jo te vetting-u e SPAK-u.

“Gjyqtari nuk e pranoi kërkesën time dhe sot jam i detyruar që atë shtëpi që e fitova pas shumë gjyqesh, gjykata po ma merr. Është një institucion I korruptuar dhe mezi pres vetingun e SPAK-un që Shqipëria të shpëtojë nga kjo gangrenë që po na çon në vetëvrasje e përplasje civile mes pronarit të truallit e blerësit ndërsa firma e ndërtimit vijon qetë veprimtarinë në Tiranë. Përmes TCH uroj që ky rast të bëhet sa më publik që zëri im të dëgjohet e që të mos vijojnë abuzime të tilla flagrante. Gjyqtarët që nuk kalojnë vetting-un duhet të procedohen penalisht e jo të dalin pa lagur”, thotë Sholla.

Besimi tek efektet e vetting-ut dhe SPAK janë e vetmja shpresë e qytetarëve për rivendosjen e drejtësisë në vend.

Top Channel