Presidenti rus, Vladimir Putin ka thirrur në aksion ushtrinë, për të luftuar me zjarret që kanë përfshirë pjesë të mëdha të Siberisë, prej ditësh, duke mbështjellë qytete të tëra në re tymi.
Ambjentalistët kanë paralajmëruar se zjarret mund të përshpejtojnë ngrohjen globale, përveç se mund të kenë pasoja të menjëhershme tek shëndeti i banorëve. Rreth 3 milionë hektarë tokë në qendër dhe në lindje të Siberisë, janë përfshirë nga flakët.
Tymi ka mbështjellë jo vetëm vendbanimet e vogla por edhe qytetet e mëdha në Siberinë perëndimore dhe në rajonin Altai, madje ka arritur deri në urale e Jekaterinburg duke penguar edhe trafikun ajror.
Rreth 2700 zjarrfikës janë angazhuar në luftë me flakët. Ministria e Mbrojtjes ndërkohë tha se 10 avionë dhe 10 helikopterë janë dislokuar në rajonin Krasnojarsk, një nga më të prekurit.
Forcat e armatosura në rajonin e Irkutskut po ashtu, janë në gatishmëri të lartë. Zjarret, të shkaktuara nga stuhitë në temperatura mbi 30 gradë celcius, janë përhapur nga erërat e forta. Gjendja e emergjencës është shpallur në pesë rajone ruse.
Top Channel