Nga shumë ekspertë dhe liderë të shteteve të Bashkimit Evropian, Turqia e Rexhep Taip Erdoganit konsiderohet si përfituesja më e madhe në rast se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk i hapen negociatat as në muajin tetor. Por në fjalimin e mbajtur në Sarajevë, gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Erdogan paralajmëroi se paqja dhe stabiliteti në Ballkan do të dëmtohen nëse BE-ja nuk mban zotimet e saj për Tiranën dhe Shkupin.

“Vendimet që Bashkimi Evropian do të marrë lidhur me negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndikojnë në të ardhmen e të gjithë rajonit. Nëse BE i zhvillon këto procese në kundërshtim me zotimet e saj, kjo do të dëmtonte jo vetëm paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe kredibilitetin e saj”, është shprehur presidenti i Turqisë.

Erdogan shprehu besimin se “liderët evropianë do të veprojnë në një mënyrë vizionare dhe do t’i dalin zot idealit të Ballkanit për integrim në Evropë.”

Presidenti turk tha gjithashtu se “rrymat diskriminuese dhe përjashtuese që janë rritur në tërë kontinentin, nuk rrezikojnë vetëm paqen e brendshme të Evropës, por edhe ardhmërinë e saj.”

Këshilli Evropian do të marrë vendim për dy shtetet ballkanike për hapjen ose jo të negociatave në muajin tetor, ndërkohë që Franca dhe Holanda vijojnë të mbajnë qëndrim kundërshtues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA