Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie dhe tre persona të tjerë, të cilët shpërndanin kokainë në Tiranë.
Nga hetimet për rreth 3 muaj, u siguruan prova se punonjësi i Policisë, Ledio Bako, 27 vjeç, në bashkëpunim me persona të tjerë, përveç se ishin përdorues, shpërndanin edhe lëndë narkotike. Ai duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
Nisur nga rrethanat, faktet e paraqitura dhe analiza e bërë me Prokurorin e çështjes, u zhvillua operacioni dhe u arrestuan në flagrancë:
– L. B., 27 vjeç, nga Tirana, me detyrë ndihmës specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”;
– J. K., 26 vjeç, nga Tirana, financier, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”;
– E. M., 35 vjeç, nga Tirana, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”;
– A. K., 31 vjeç, nga Tirana, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan provat materiale:
– pistoletë me fishekë;
– disa telefona celularë;
– dy qese plastike, në të cilat dyshohet se ka mbetje të lëndës narkotike kokainë;
– kopje kartëmonedhash të huaja
Hetimet po vijojnë edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë furnizues me lëndë narkotike të personave të arrestuar.
Top Channel