Kryeministri Haradinaj nuk e di pse është anuluar takimi i parashikuar Kosovë-Serbi në Paris më 1 korrik. Ndërkohë ka pasur reagime të ashpra për takimin e fshehtë me këshilltarët e Presidentit Vuçiç në Berlin.
Anulimi tashmë i konfirmuar i takimit të Parisit, ku do të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi dhe një takim në Berlin i këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, që në Prishtinë u interpretua takim i “fshehtë”, ka ngjallur reagime të shumta në strukturat politike kosovare. Kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se ai nuk ka informacione pse është anuluar takimi i Parisit. “Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk i di. Por, një gjë mund të ju konfirmojë se Kosova është palë serioze. Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet. E presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, anulimin e takimit të Parisit e ndërlidh pikërisht me refuzimin e Prishtinës që ta heq taksën ndaj Serbisë. “Nuk do të ketë takim në Paris. Gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato”, u shpreh nga Bjellorusia ku po qëndron Vuçiq.
Ndërsa qeveria gjermane dhe presidenca franceze konfirmonin anulimin e takimit të Parisit, në Prishtinë mediet njoftuan për një takim “të fshehtë”, në Berlin, të këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj me këshilltarët e Presidentit serb Vuçiq. Më vonë ky takim u konfirmua nga Haradinaj dhe Vuçiq, por, kjo ngjalli reagime të ashpra në Prishtinë.
Pse u zhvillua takimi Arifi-Gjuriq?
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi në Berlin (që u zhvillua ndërmjet Avni Arifit ish-udhëheqës i dialogut teknik dhe Marko Gjuriqit shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë) ka qenë formal jo publik. “Mendoj që është mirë që po qartësohet se çka ka mbet pa u zgjedh. Ballafaqimi i delegacionit teknik ka konfirmuar se e vetmja çështje pa u zgjidh është njohja. Është sqaruar shumë mirë se çka mundet me pas zgjidhje. Takimi ishte formal, jo publik. Delegacionit e dy palëve janë taku. Nikoqirë ka qenë Zyra e Kancelares gjermane. Partnerët e koalicionit kanë qenë paraprakisht të njoftuar. Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk ka qenë fare pjesë e bisedave”, tha Haradinaj.
Kritika nga presidenca kosovare
Por zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një njoftim për medie tha se takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë -Serbi. “Zyra e Presidentit nuk ka qenë e informuar për pjesëmarrjen e një ekipi të kryeministrit në takimin e fshehtë në Berlin dhe po ashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë”, thuhet në një reagim të zyrës së Presidentit Thaçi. Marrë mga Dw.
Top Channel