Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes procedurat e dy ministrive, të Bujqësisë dhe Financave, të cilat kanë lënë jashtë skemës mijëra blegtorë nga përfitimi i 10 lekë për çdo litër qumësht.
Pak javë më parë, mijëra persona dolën në rrugë dhe protestuan për uljen e kompensimit të TVSH-së, nga 20 % në 6 %, çka përkthehej indirekt me uljen e blerjes së çmimit të qumështit te blegtorët. Qeveria u duk se ndërhyri, duke miratuar udhëzime dhe rregullore, ku çdo fermer përfitonte direkt nga skema e rimburimit 10 lekë të reja për litër. Dhe, pas kësaj nisme, blegtorët u tërhoqën dhe gjithçka u duk e zgjidhur. Por, disa javë më pas, zbatimi i këtyre VKM-ve, rregulloreve apo udhëzimeve ka hasur në probleme të mëdha.
Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, në një dalje për mediat pas miratimit të VKM-së, tha se përfitonte çdo fermer, i cili duhet të aplikonte pas datës 22 prill 2019. Por, ministri nuk tregoi datën e mbylljes së aplikimeve. Blegtorët filluan të bëjnë dokumente: hapën numra NIPT-i, paguan siguracionet 3 muaj dhe paguan tatimet e tokës. Kur i mblodhën të gjitha këto dokumente, shkuan në Agro Pikat në çdo rreth. Dhe, këtu hasën në një surprizë të pakëndshme: afatet kishin përfunduar!
Në fakt, udhëzimet dhe rregulloret kishin disa data kur përfundonte aplikimi. Njëherë në datën 10 maj, tjetra në 17 maj dhe e fundit, në 7 qershor. Kjo ka sjellë çoroditjen e mijëra blegtorëve, të cilët nga këto paqartësi humbën të drejtën e aplikimit.
Në fiks Fare u ankua z.Dhimitraq Jongari nga fshati Gorre i Lushnjes. Ai tha se ka shkuar para datës 17 maj në Agro Pikën në Lushnje, por i kanë thënë se ka përfunduar afati. “Kam 3 lopë, kur doli lajmi se do të merrnim 10 lekë për litër u kënaqëm. Menduam se na shkoi mundi atje ku donim. Unë me këto lopë ushqehem, shes qumësht dhe viçat. S’kam asnjë të ardhur tjetër. Kështu si unë janë edhe shumë të tjerë, madje edhe më keq. Por, askush nuk ankohet” thotë Dhimitraqi. Ai tregon më pas se ka bërë të gjitha letrat.
“Taksat e tokës i kam paguar me kohë, numrin e NIPT-it e kam nxjerrë që në vitin 2017, ndërsa na u tha se duhet të siguroheshim për të paktën 3 muaj. Shkova dhe pagova 140 mijë lekë te sigurimit. Më pas shkova te Agro Pika, ajo që merret me këto letrat. Kur shkova atje më thanë se ka përfunduar afati i aplikimit, që ka qenë nga 22 prilli deri në 10 maj. 3 javë. Ku e dinim ne që kishte afat, unë lopën e kam gjithë vitin, nuk e kam 1 muaj apo dy. Ne nuk e shesim qumështin me VKM-ra, apo letra” thotë ai.
Më tej tregon problemet me lopët. “Gjysmë litri ujë, që vetë e mbush në burim, bëka 50 lekë. 1 kg qumësht është 40 lekë, që e marrim pika-pika. Dhe ne duhet të bëjmë qindra dokumente që ta përfitojmë. Me këto që kanë bërë këta, unë do e marr 10 lekëshin për litër kur të vdes” përfundoi Dhimitraqi.
Grupi i Fiks Fare shkoi te Agro Pika në Lushnje, ku gjeti dhjetëra blegtorë të tjerë me të njëjtin problem. Edhe ata kanë bërë të gjitha dokumentet, por askush nuk ia ka pranuar: ka përfunduar afati! Gazetarët pyesin punonjësit e Agro Pikës dhe marrin një dokument se afati i dorëzimit të dokumenteve është 7 qershor 2019. Fiksi i kërkon punonjëses të gjejë datën në VKM për këtë afat. Pas insistimit të gazetarëve dhe fermerëve, punonjësja ulet në kompjuter dhe shfleton dhjetëra dokumente, apo korrespondenca mes ministrive për këtë procedurë. Pas disa minutash, mes rreshtash të një udhëzimi apo rregullore, gjen një datë që thotë për “afatet e aplikimit”. Në këtë dokument thuhet se afati ka qenë nga 22 prilli deri në 10 maj.
Gazetarët e pyesim nëse ka pasur ankesa të tjera në këtë zyrë, dhe punonjësja thotë ka shumë ankesa. Pyetjes se çfarë do të ndodhë me këta blegtorë që nuk e kapën dot afatin, përgjigjet se: VITIN TJETËR!
Në gjithë këtë procedurë, më lehtë do e kishin për të fituar ndonjë tender, sesa për të marrë 10 lekëshin e premtuar. “Unë merrem me lopë, nuk më duhet VKM, apo AZHBR. Ç’më duhen mua këto VKM-ra, apo dokumente. Këta janë të gjithë kotë, për mua të ikin” përfundon blegtori.
Top Channel