Veliaj në Njësinë 3, inspekton punimet për rehabilitimin e Lanës: Transformimi do të vazhdojë

05/06/2019 15:58

Në vijim të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, zhvilloi ecje me banorë të Njësisë 3.

I shoqëruar nga kryetarja e Partisë Socialiste të Tiranës, Blerina Gjylameti, deputetja e PS, Klotilda Ferhati, ai u takua banorë të njësisë, të cilët shprehën vlerësimet e tyre për punën e bërë në këto 4 vite në këtë njësi, e cila është përfituese e shumë projekteve transformuese.

Banorët e falenderuan Veliajn për vëmendjen e treguar në këto 4 vite edhe për lagje, të cilat më parë konsideroheshin periferike, ndërsa kërkuan prej tij vijimin e punës së nisur, në mënyrë të veçantë me infrastrukturën, këndet rekreative dhe hapësirat e dedikuara për fëmijët.

Më pas, kandidati për kryetar bashkie inspektoi punimet që po bëhen në një nga projektet më transformuese të Tiranës, që prek direkt edhe Njësinë 3 dhe që ka të bëjë me rehabilitimin e gjithë bregut të Lumit të Lanës, nga zona e Maternitetit të Ri deri te Ura e Shkozës. Ai vlerësoi punën e bërë në transfomimin e një zone që pak vite më parë ishte e mbuluar nga ferrat dhe papastërtitë, në një hapësirë që përveç sistemimit të lumit të Lanës, janë krijuar edhe trotuaret, zonat e gjelbra, rruga për makinat, si një zgjatim i pjesës tjetër të lumit të Lanës.

Veliaj theksoi se ky projekt jo vetëm që ka rehabilituar një hapësirë që më parë ishte krejtësisht e degraduar, por i ka sjellë një përfitim direkt banorëve të zonës, të cilëve iu është krijuar infrastruktura e duhur rrugore, si dhe iu është shtuar vlera e pronës për shkak të aksesit që kanë me një rrugë krejtësisht të sistemuar.

Ai falenderoi banorët për bashkëpunimin, ndërsa theksoi se puna e bërë në këto 4 vite për transformimin e Tiranës do të vijojë edhe në mandatin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA