Shiu shpëtoi financat; Zbutet kriza energjetike. Liqeni i Fierzës është mbushur

29/05/2019 15:13

Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë dy muajve të fundit e kanë nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krizës energjetike. Të dhënat më të fundit nga KESH tregojnë se kuota e ujit në liqenin e fierzës ka arritur në 289 metër mbi nivelin e detit, ose vetëm 7 metër larg pikës maksimale.

Kjo në një kohë, kur vetëm dy muaj më parë niveli i ujit në Fierzë ishte më pak se 270 metër mbi nivelin e detit ose fare afër pikës kritike, ku hidrocentrali nuk mund të prodhojë me energji.

Rritja e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit ka ulur ndjeshëm rrezikun fiskal, që kriza mund të kishte në buxhetin e shtetit. Në pesë muajt e parë të vitit Operatori i Shpërndarjes shpenzoi rreth 100 milionë euro për të blerë energji nga importi. Kjo faturë e lartë u kthye në kërcënim për financat e shtetit, pasi nëse kriza do të vazhdonte më atëherë qeveria do ishte e detyruar të jepte para nga taksat për të garantuar furnizimin e vendit me energji.

Por ky rrezik duket është shmangur. Aktualisht thuajse e gjithë kërkesa për energji po përballohet nga prodhimi vendas, ndërsa për muajin e ardhshëm OSHE do të blejë vetëm 3.5 milionë euro energji nga jashtë.

Burime nga kompania thonë se prodhimi vendas mund të përballojë të gjithë kërkesën edhe pa import. Por dy kompanitë OSHE dhe KESH kanë rënë dakord të mbajnë një ritëm të ulët importesh në qershor, për të ruajtur rezervën hidrike për muajt e verës, veçanërisht korrik gusht ku çmimi i energjisë në bursë rritet ndjeshëm.

Top Channel