Valencia i jep fund hegjemonisë së Barcelonës në Kupën e Mbretit. Në Benito Villamarin të Sevillas, skuadra valenciane iu imponua skuadrës katalanase, fituese e 4 edicioneve të fundit duke e mundur me rezultatin 2-1, duke ngritur edhe trofeun e Kupës së Mbretit.

Ishte një sukses i merituar ky i Valencias kundrejt Barcelonës se pagoi shtrenjtë një pjesë të parë aspak të mirë. Skuadra e Valverdes qarkulloi më shumë topin në këtë 45 minutësh, por ishte Valencia ajo që shfaqej shpesh e rrezikshme në portën e Cillessen.

Në minutën e 22 Kevin Gameiro i dha avantazhin Valencias. Pas 11 minutash u shënua edhe goli i dytë nga Rodrigo që nga shumë pranë portës së Barcelonës nuk mund të gabonte. Barcelona dha disa shenja jete në fundin e pjesës së parë teksa tentoi portën e Domenech me gjuajtjet e Messit dhe Rakitic, por pa shënuar dot.

Në pjesën e dytë, Barcelona filloi të sulmojë më shumë në zonën e Valencias që gjithsesi i rezistonte mjaft mirë. Në minutën e 73, Messi shkurtoi distancën për të shkruar emrin në histori, pasi kjo është finalja e 6 e Kupës së Mbretit ku ai gjen golin.

Pas këtij momenti, Barcelona vijoi ofensivat e saj por që nuk sollën gjë, ndërkohë që në 2 raste rrezikuan të pësonin golin e trete me Guedes që në  mënyrë të pashpjegueshme gaboi me portën bosh.Gjithsesi ajo që ka rëndësi është fitorja e merituar e Valencias, ndërkohë që Barcelona dështon në arritjen e një tjetër objektivi sezonal

 

 

 

Top Channel