Firma japoneze e telefonëve celularë “Panasonic” ka njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve të biznesit me “Huawei”-n për të qenë në pëmbushje të kufizimeve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është goditja më e fundit që i jepet firmës kineze të telekomunikacionit.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara e futën “Huawei”-n në një listë kompanish, me të cilat firmat amerikane nuk mund të zhvillojnë tregti për sa kohë që nuk zotërojnë një licencë të posaçme për këtë.

Kufizimet shënojnë përshkallëzimin e përpjekjeve të SHBA për të bllokuar “Huawei”-n, pasi sipas amerikanëve përbën rrezik për sigurinë.

“Panasonic shpalli përmes një njoftimi të brendshëm se duhet të pezullojë transaksionet me Huawein dhe 68 filialet e tij, të cilat janë ndaluar nga qeveria amerikane”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Një javë më parë, administrata e Trumpit e përfshiu “Huawei”-n, prodhuesit e dytë më të madh në botë të “smartphone”-ve, në listën e entiteteve të ndaluara nga shfrytëzimi i teknologjive të firmave amerikane pa miratimin e qeverisë.

Themeluesi i firmës kineze, Ren Zhengfei minimizoi impaktin e kufizimeve amerikane ndaj “Huawei”-t, megjithatë shenjat e para tregojnë se goditja mund të jetë domethënëse.

“Google” nga ana tjetër nga përjashtuar “Huawei”-n nga marrja e përditësimeve të reja të sistemit operativ “Android”, duke nënkuptuar kësisoj se “smartphone”-t e rinj të kësaj firme do të humbasin qasjen në aplikacionet më të përdorura të “Google”.

Ndërkohë, edhe firmat “Softbank” dhe “KDDI” të Japonisë kanë deklaruar se nuk do t’i shesin më “Huawei”-t kufje apo pajisje të tjera, të paktën për momentin. Biznesin me kinezët e ka pezulluar edhe firma e dizenjimit të “chip”-eve me qendër në Britaninë e Madhe, “ARM”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA