Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përmes një letre të hapur i drejtohen Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron në prang të samitit që do të organizohet në Berlin.

Këshilli i kërkon që shkëlqesia e tyre, të përdorin rastin për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Letra e hapur:

Tiranë 25 Prill 2019

Shkëlqesisë së saj, Zonjës Angela Merkel,
Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë

Shkëlqesisë së tij, Zotit Emanuel Macron,
President i Republikës Franceze

Opinioni ynë publik është njohur për samitin që ju do të organizoni në Berlin më 29 prill 2019 me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se kjo nismë vjen në kohën e duhur për t’i dhënë një shtytje të re procesit të ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në vendet e rajonit tonë.

Ne besojmë thellësisht, Shkëlqesi, se Ju, në emër të shteteve të fuqishme, bujare dhe me ndikim planetar për lirinë dhe demokracinë, që udhëhiqni, në emër të Bashkimit Europian do t’u përcillni udhëheqësve të shteteve të rajonit tonë mesazhe të qarta për paqe të qëndrueshme, stabilitetin pa cënuar standartin e demokracisë e të shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik duke respektuar dinamikën e tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme.

Ky samit është një rast fatlum veçanërisht për përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një proçes shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete sovrane, të cilat kanë të përbashkët një të kaluar të afërt të mbushur me urrejtje dhe luftë të përgjakshme ndëretnike. Por këto dy vende kanë sot të përbashkët edhe aspiratën për integrim europian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se pikërisht kjo aspiratë përbën motorrin më të fuqishëm frymëzues për shoqëritë dhe institucionet e këtyre dy shteteve, për t’i shtyrë ato drejt pajtimit përfundimtar duke lënë pas të kaluarën e hidhur, në emër të ndërtimit të një fqinjësie të shëndetshme, miqësore, si interes jetik në radhë të parë për popujt e tyre, por edhe për të gjithë popujt e rajonit.

Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i lartë, Shkëlqesi, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dëshirojmë të vendosim ne vëmendjen tuaj edhe disa problematika të vendit tonë.

Gjatë këtyre 28 vjetëve pas shembjes së diktaturës staliniste, Shqipëria ka bërë pa dyshim përparime substanciale në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të ekonomisë. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duke e bërë kështu të pakthyeshëm orientimin tonë perëndimor. Më shumë se 90 për qind e opinionit publik shqiptar mbetet i vendosur në mbështetje të perspektivës europiane.

Mbarë shoqëria jonë pret me shpresë që Këshilli Europian të vendosë në qershorin e ardhshëm për çeljen e negociatave, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian të vendit tonë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se ju Shkëlqesi, dhe qeveritë që ju udhëhiqni, do të jeni në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptarëve. Kjo ëndërr e shenjtë frymëzoi shqiptarët për t’u ngritur kundër sistemit më represiv të kohës.

Shqipëria po kalon një tranzicion të stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën.

Prej më shumë se një viti vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni, duke e futur krejt drejtësinë në kolaps.

Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni, e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme, të pacënuara nga lidhjet e krimit me politikën.

Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë vitëve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e pesta e shqiptarëve.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.

Ne gjithashtu shpresojmë që ju shkëlqesi, si miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron suksese këtij samiti dhe u shpreh mirënjohje të përzemërt nismëtarëve dhe organizatorëve të tij.

Me respekt
Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA