Një testim në shkallë të gjerë ka nisur në Malavi për atë që është konsideruar vaksina e parë në botë e malarjes dhe që do t’i ofrojë mbrojtje të pjesshme fëmijëve.
Vaksina RTSS trajnon sistemin imunitar që të sulmojë parazitin e malarjes, që përhapet përmes pickimeve të mushkonjave.
Më herët, një testim më i vogël tregoi se rreth 40% e 5-17 muajshve që kishin marrë vaksinën, ishin të mbrojtur.
Rastet e malarjes janë në rritje sërish pas një dekade suksesi në luftën ndaj sëmundjes vdekjeprurëse. Sipas shifrave më të fundit vjetore, rastet globale të malarjes nuk po shënojnë më rënie, çka edhe ka rritur shqetësimet për rikthimin e saj.
Më shumë se 90% e të infektuarve dhe e 435 mijë viktimave të malarjes kanë qenë në Afrikë. Fëmijët janë veçanërisht vulnerabël ndaj sëmundjes. Malavi ka regjistruar thuajse 5 milionë raste të konfirmuara në 2017 ndaj është zgjedhur për testim bashkë me Kenian dhe Ganën.
Vaksina ka më shumë se tre dekada në proces prodhimi me shkencëtarët e kompanisë së ilaçeve GSK që e krijuan atë në 1987. Vite testime, të mbështetura nga disa organizata dhe një kosto që vlerësohet të kapë shifrën e 1 miliard dollarëve, kanë çuar deri në këtë pikë.
Top Channel