U torturuan deri në skamje, fëmijët gjithsesi falin prindërit e dënuar (Foto)

20/04/2019 18:24

Fëmijët e një çifti nga Kalifornia i kanë falur ata për vite tortura dhe urie, ndërsa prindërit e tyre u dënuan me burgim të përjetshëm.

Fëmijët e David dhe Louise Turpin thanë në gjykatë se, ata sidoqoftë i donin prindërit e tyre, pavarësisht abuzimit. Çifti i arrestua në janar të vitit 2018, kur vajza e tyre 17-vjeçare kishte mundur të arratisej nga “shtëpia e tmerrit” në Perris, ngjarje që tronditi opinionin botëror asokohe.

Çifti pranoi fajin për abuzimin me të 13 fëmijët e tyre, me përjashtim të njërit, për të paktën 9 vite. Ata pritet të kalojnë tani të gjithë jetën pas hekurave, nëse nuk do të marrin faljen pas 25 vitesh. Të dy prindërit u panë në lotë, ndërsa dëgjonin deklaratat e fëmijëve të tyre.

“I dua të dy prindërit e mi, madje shumë. Edhe pse ajo mund të mos ketë qenë mënyra më e mirë për të na rritur, unë jam i kënaqur që ata vepruan ashtu, pasi ajo eksperiencë më bëri ky që jam sot”, tha njëri prej djemve.

“Nuk mund ta përshkruaj me fjalë çfarë kemi kaluar. Ndonjëherë kam makthe për vëllezërit e motrat që lidheshin apo rriheshin. Por, ajo është e kaluara. Unë i dua prindërit dhe i fal për shumë nga gjërat që na kanë bërë”, tha një tjetër djalë.

“Prindërit e mi më morën jetën. Por tani unë po e rifitoj atë. Unë jam e fortë dhe po e shijoj tani jetën me energji”, tha njëra prej vajzave.

Fëmijët, të moshës nga dy deri në 29 vjeç, në kohën e ndërhyrjes së policisë ishin të kequshqyer. Një 22-vjeçar u gjet i lidhur në krevatin e tij, ndërsa dy motrat sapo ishin liruar nga prangat. Viktimave u ndalohej të bënin dush më shumë se një herë në vit, nuk mund të përdornin tualetin dhe asnjë prej tyre nuk ishte vizituar kurrë te dentisti.

Fëmijët mbaheshin të mbyllur, por lejoheshin të dilnin vetëm për “Halloween” ose në udhëtime familjare në “Disneyland” dhe Las Vegas.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA