Milan-Lazio do të jetë sfidë me emocione të thella për Filippo Inzaghin. Kjo, sepse nga njëra anë është klubi me të cilin fitoi gjithçka, në Itali dhe në botë, e nga ana tjetër është një pjesë e pazëvendësueshme e jetës së tij, vëllai Simone, trajner i bardhekaltërve.

Për këtë arsye, për SuperPippon do të jetë tejet e vështirë të vendosë se për cilën skuadër do të bëjë tifo mbrëmjen e së shtunës në “San Siro”.

“Do të bëj për të dyja – është shprehur ish-numri 9 i kuqezinjve për “Sky”. – Ëndrra ime dhe uroj të ndodhë kështu, është që të dyja ekipet të kualifikohen në Champions League edicionin e ardhshëm. Milani e meriton, sikurse edhe Gattuso për punën që ka bërë. Vëllai im Simone e meritonte që vitin e kaluar, por edhe këtë vit po bën shumë mirë në drejtimin e lacialëve. Do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë, e sido që të shkojë do të jem i kënaqur”.

Ish-trajneri i Bolognës është kthyer të flasë më tej për historinë e tij kuqezi, por duke u fokusuar te të qenit teknik.

“E nisim gjithmonë me paragjykime. Është shumë e vështirë të trajnosh, të bësh rolin e trajnerit. Në radhë të parë je i kushtëzuar nga rezultatet, por edhe nga shoqëria. Bëhet fjalë për një rol të bukur, por të vështirë”, tha Inzaghi.

Pippo nuk pati një epokë të suksesshme nën drejtimin e kuqezinjve. “Të stërvisësh Milanin këto vitet e fundit nuk ka qenë kurrë e lehtë. Milani është mësuar të ngrejë Championsin, ishin vite të mrekullueshme. Por, ka cikle dhe tashmë po kalohen vite të vështira. Megjithatë, Milani do të rikthehet shpejt, siç ka bërë gjithmonë”, shtoi ai.

Sa i përket sulmuesve dhe konkurrencës në këtë repart, kush më mirë sesa Inzaghi mund të flasë? Shumë vetë e kanë cilësuar polakun Piatek si pasardhësin e tij në “San Siro”…

“E kisha vënë re forcën që ka Piatek, edhe kur luajti kundër nesh. Më pëlqen shumë sesi lëviz në zonën e rreptësisë dhe kur gjuan, vështirë se gabon. Më vjen mirë që Milani bëri një blerje kaq të rëndësishme, që të ofron më shumë se 20 gola në Serie A. Për rikthimin në Champions ai është i rëndësishëm”, thotë Inzaghi.

Por, gjithnjë ka një por. “Nuk duhet harruar Patrick Cutrone, është një lojtar i ri, po luan shumë mirë, edhe pse uroj që të bëjë edhe më mirë. I uroj që të përmirësohet dhe të veshë fanellën me numrin që mbaja unë, numrin 9 të Milanit. I uroj gjithashtu të qëndrojë te Milani, pasi më mirë sesa kuqezinjtë nuk ka”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA