Në luginat e mbushura me lule të provincës së Matanzas, në Kubë, bujqësia vazhdon sipas modës së vjetër, e kjo do të thotë se bletët mund të fluturojnë të qeta, pa kërcënimin e pesticideve që kanë shkatërruar mjaft popullata të tyre në mbarë botën.
“Bleta, për të qenë të saktë, nuk është bërë as për zonat urbane, e as për ato rurale. Bleta është bërë për në mal, aty rritet më mirë”, tha Rogelio Marcelo Fundora.
Në zonën me bimësi të harlisur po lulëzojnë edhe bletët e Rogelios. 51-vjeçari, nga profesioni është inxhinier mekanik, ndërsa vëllai i tij, Santiago Esteban është mësues. Por, pasioni i ka kthyer ata në bletërritësit më të njohur të Kubës, me mbi 600 koshere në luginën idilike, të ndodhur disa orë larg me makinë nga kryeqyteti.
“Vitin e kaluar prodhuam 80 tonë mjaltë”, tha Santiago, me fytyrën e mbuluar për të shmangur pickimet. Tkurrja e popullsisë së bletëve nëpër botë i ka alarmuar shkencëtarët dhe ambientalistët, të cilët po i bien kambanave të alarmit nga efektet e bujqësisë intensive, sëmundjeve dhe pesticideve.
Por, kjo nuk ndodh në Kubën e shndërruar në një loj parajse të apikulturës, falë pastërtisë së fshatrave të saj.
Top Channel