Qeveria e Libisë e mbështetur nga OKB thotë se 21 persona janë vrarë dhe 27 të tjerë janë plagosur në luftimet afër kryeqytetit të vendit, Tripoli.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe fillimin e bisedimeve. Forcat rebele, nën drejtimin e general Khalifa Haftar, kanë avancuar në lindje me qëllim marrjen e Tripolit. Kryeministri Fayez al Serraj e ka akuzuar atë se po tenton të çojë deri në fund një grusht shteti dhe thotë se rebelët do të përballen me forcë.
Mes viktimave raportohet se është edhe një mjek i Gjysmëhënës së Kuqe. Ndërsa forcat rebele raportojnë për të paktën 14 luftëtarë të humbur.
Më herët, OKB kishte bërë apel për një armëpushim 2-orësh në mënyrë që të lënduarit dhe civilët të mund të evakuoheshin, por luftimet vazhduan. Në një deklaratë për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo nënvizonte se SHBA është shumë e shqetësuar për luftimet afër Tripolit dhe shpreh nevojën për bisedime.
“Kjo fushatë ushtarake e njëanshme kundër Tripolit po rrezikon civilët dhe po dëmton perspektivën për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët”, thuhej në deklaratë.
Fuqitë ndërkombëtare kanë nisur evakuimin e personelit nga Libia në mesin e situatës së rënduar të sigurisë. Libia përballet me dhunë dhe destabilitet politik që kur ish-sundimtari Muamar Gaddafi u rrëzua dhe u vra në 2011.
Top Channel